Collen Hyland pritet të marrë detyrën e zv.Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, duke zëvendësuar në këtë pozicionin Alexander Kasanof. Lajmi bëhet i ditur nga rrjeti “Al Jazeera”, i cili raporton se Kasanof nuk do të jetë më zv/ndihmës-sekretar për Ballkanin Perëndimor. Hyland deri më tani ka udhëhequr Drejtorinë për çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore. Hyland është një diplomate karriere me përvojë, e cila ka punuar në misionet diplomatike të SHBA-së në Bagdad, Kabul dhe Prishtinë. Në Kosovë ajo ka mbajtur postin e zëvendësambasadores në periudhën 2016-2019. Ajo flet edhe gjuhën shqipe. Kasanof u emërua në korrik të vitit 2024 në pozicionin e zv.Ndihmës Sekretarit duke zëvendësuar Gabriel Escobarin. Colleen Hyland ka vizituar Shqipërinë në shtator 2024 kohë kur zhvilloi një takim me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani.
Referuar këtij takimi, Hyland përsëriti mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për SPAK dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë, duke theksuar rolin vendimtar të reformës në drejtësi në avancimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt aspiratave të saj euroatlantike. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në 2024 ajo theksoi se “Shqipëria dëshiron të tërheqë investime të huaja dhe për të arritur këtë, duhet të ndryshojë sjellje dhe qëndrimin, duhet ta trajtojë këtë problem”. “Shqipëria ka bërë një përparim të shkëlqyer falë edhe SPAK-ut, që është një organizatë, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Sondazhet tregojnë se SPAK-u ka fituar respektin e qytetarëve të vendit, sepse ajo ndihmon vendin që të trajtojë çështjet e korrupsionit”, tha Hyland. SPAK-u, sipas saj, duhet ruajtur dhe forcuar në mënyrë që të dërgohet një sinjal shumë i fortë tek investuesit e huaj dhe tek shqiptarët që të investojnë në vendin e tyre, ndërsa SHBA-të janë të gatshme ta ndihmojnë më tej Shqipërinë në rrugën e integrimit europian.
“Në këtë punë të vështirë, korrupsioni duhet të mbahet nën kontroll. Ligjet duhet të përditësohen dhe të sillen në përputhje me standartet e BE-së, dhe për këto duhet fokus dhe vendosmëri”, tha zonja Hyland. Ajo theksoi se Shqipëria duhet të punojë fort që të arrijë standardet për t’u bashkuar me BE-në, dhe nga ana e SHBA-së çdo mbështetje shkon në drejtim të këtij integrimi, ashtu si edhe për vendet e tjera të rajonit. “SHBA-të e shohin të ardhmen e këtij rajoni askund tjetër veçse që të anëtarësohet në BE”, shtoi Hyland./kb