Vuçiç përplas kokën te dinastia “Tramp”, çështja “Monika” del si as-i nën mëngë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Kush do ta hante sapunin për djathë e të besonte se lufta nisi vetëm për një femër?

Legjenda na shtyn në lashtësi, kur grekët e vjetër morën shpata në duar dhe u hipën anijeve për të luftuar në muret e Trojës. Ata i besuan Agamemnonit, i cili pretendonte se po rivendoste nderin e të vëllait, Menelaut, duke marrë pas Helenën, të rrëmbyer nga Paridi. Por a mund të besohet se një luftë shkatërrimtare nisi për një grua? Historia njerëzore na mëson se luftërat nuk shpërthejnë për motive kaq sipërfaqësore, por për interesa strategjike, politike dhe ekonomike.

Mijëra vite më vonë, disa syleshë duan të na bëjnë të besojmë një analogji të ngjashme: se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte një devijim nga skandali i Bill Klintonit me Monika Levinskin. Sipas kësaj teorie absurde, Princi Parid zëvendësohet nga Presidenti Klinton, Helena nga Monika, dhe sheshi i betejës zhvendoset nga Troja në Serbi, apo më saktë në Beograd. Por kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të mohuar të vërtetën e hidhur: ndërhyrja e NATO-s nuk kishte të bënte me skandalet personale të askujt, por me ndalimin e një spastrimi etnik që kërcënonte ekzistencën e një populli.

Në vitin 1999, NATO ndërhyri ushtarakisht në Kosovë për t’i dhënë fund një fushate brutale të spastrimit etnik nga regjimi i Slobodan Millosheviçit. Ushtria dhe paramilitarët serbë kryen masakra, dhunime masive dhe dëbime të dhunshme të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Disa nga qytetet dhe fshatrat e Kosovës u shkatërruan, popullsia u terrorizua dhe mbi 800,000 shqiptarë u dëbuan me forcë. Këto nuk janë opinione; këto janë fakte të dokumentuara nga organizata ndërkombëtare si OKB-ja dhe Amnesty International.

Për më shumë se një vit, komuniteti ndërkombëtar tentoi të gjente një zgjidhje paqësore, por Millosheviçi refuzoi çdo kompromis dhe intensifikoi represionin. Në këtë situatë, ndërhyrja e NATO-s nuk ishte një zgjedhje politike për të mbuluar ndonjë skandal presidencial, por një domosdoshmëri për të ndaluar një gjenocid në zemër të Evropës.

Donald Tramp i Riu, në një përpjekje për të fituar simpati në Serbi, e ka përsëritur këtë narrativë të rreme, duke pretenduar se bombardimet e NATO-s ishin një manovër politike.

Por ka dhe zëra që thonë se nëse kërkesa për këtë intervistë ka ardhur nga kampi Tramp, atëherë është një sinjal për politikën e ardhshme amerikane ndaj Serbisë dhe Kosovës.

Kjo mbetet për t’u parë.

Por Donald Trampi i Ri. nuk ka fuqi vendimmarrëse në politikën e jashtme amerikane, pavarësisht ndikimit që mund të ketë përmes platformës dhe podcastit të tij.

Po kush vendos për politikën amerikane ndaj Kosovës?

Presidenti i SHBA-së ka një rol të rëndësishëm në përcaktimin e politikës së jashtme, por nuk mund të marrë vendime të mëdha pa mbështetjen e institucioneve të tjera.

Departamenti i Shtetit është institucioni kyç që përcakton marrëdhëniet diplomatike me vende si Kosova dhe Serbia.

Pentagoni përcakton strategjinë ushtarake dhe ka rol vendimtar në çështje si prania e trupave amerikane në bazën e “Bondsteel”-it.

Lexo edhe :  Pse argumenti BE është kthyer në ankthin e fushatës së Berishës

Senati dhe Kongresi, kanë pushtet të madh mbi financimet dhe vendimmarrjet strategjike afatgjata. Asnjë vendim i madh për Kosovën nuk mund të merret pa miratimin e tyre.

Politika amerikane në Ballkan është gjithashtu e lidhur me vendimet dhe angazhimet e NATO-s dhe aleatëve ndërkombëtarë.

Në realitet, ndërhyrja e NATO-s ishte një nga vendimet më të drejta të politikës ndërkombëtare në fund të shekullit XX. Ajo jo vetëm që ndali një katastrofë humanitare, por edhe i dha Kosovës mundësinë për të ndërtuar të ardhmen e saj të lirë dhe të pavarur.

Serbia sot përpiqet të viktimizohet, duke e paraqitur veten si një “minor” të pafajshëm, ndërsa në fakt është agresori që shkaktoi një nga tragjeditë më të mëdha të Evropës moderne. Propaganda serbe mundohet të përmbysë realitetin, duke fajësuar viktimat dhe duke paraqitur veten si të dëmtuar. Kjo strategji nuk është e re, por ka një qëllim të qartë: të justifikojë krimet e së shkuarës dhe të pengojë stabilitetin në rajon.

Politika amerikane ndaj Kosovës nuk ka qenë kurrë e bazuar në interesa afatshkurtra personale, por në një strategji të qartë për të mbështetur paqen, stabilitetin dhe të drejtat e njeriut. Presidentët, qoftë demokratë apo republikanë, kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe praninë ushtarake amerikane në rajon. Institucione si Departamenti i Shtetit, Pentagoni dhe Kongresi kanë një rol kyç në përcaktimin e politikës amerikane në Ballkan. NATO dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të jenë të angazhuar për sigurinë e Kosovës dhe kundër çdo përpjekjeje për destabilizim nga Serbia.

Prandaj, deklaratat e Trampit të Ri. nuk janë asgjë më shumë se një përpjekje për të manipuluar opinionin publik dhe për të kënaqur qarqet ultranacionaliste serbe.

Deklarata e Trampit të Ri vjen në një kohë kur Beogradi po përballet me protesta masive kundër qeverisë së Vuçiçit, të cilat kanë shpërthyer për shkak të manipulimeve zgjedhore, korrupsionit dhe ndikimit të tij të fortë mbi institucionet. Një intervistë me djalin e presidentit Tramp i jep Vuçiçit një mundësi për të forcuar imazhin e tij ndërkombëtar dhe për të treguar se ende ka mbështetje nga qarqe të fuqishme në SHBA. Në një kohë kur BE-ja dhe SHBA-ja po rrisin presionin ndaj Vuçiçit për reforma demokratike dhe njohjen e Kosovës, ai mund të përdorë këtë intervistë për të treguar se ka opsione të tjera dhe se mund të mbështetet te Republikanët në SHBA.

Në politikë, asgjë nuk është rastësi, dhe momenti i intervistës së Donald Tramp i Ri. me Aleksandër Vuçiç mund të jetë një sinjal për disa zhvillime të rëndësishme. Mediat konservatore në SHBA kanë kohë që promovojnë idenë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte e gabuar.

E vërteta është se ndërhyrja e NATO-s ishte një përgjigje legjitime dhe e nevojshme ndaj një regjimi që masakronte civilë dhe shkatërronte një popull të tërë. Kosova sot është një vend i lirë dhe i pavarur falë këtij angazhimi ndërkombëtar, dhe asnjë teori konspirative nuk mund ta ndryshojë këtë realitet historik.

Të fundit

A mund t’i përgjigjeni pyetjes që pothuajse të gjithë gabojnë në intervistat e Google?

Imagjinoni të jeni tkurrur në madhësinë e një monedhe dhe të gjeni veten në fund të një blenderi; Keni...

Filmi “Borëbardha” i Disney-t kryeson arkën filmike pavarësisht komenteve negative

Filmi i ri artistik i Disney-t, një adaptim i përrallës klasike “Borëbardha”, ka kryesuar listën e filmave më të shikuar në arkën filmike të...

Parashikimi i motit për ditën e nesërme, ja çfarë pritet të ndodhë me temperaturat

Edhe përgjatë ditës së mërkurë në vendin tonë do të mbizotërojë mot i paqendrueshëm, ku nuk do të mungojnë reshjet e shiut me intensitet...

Çfarë mësohej në shkollë gjatë fashizmit?

Gjashtë muaj pas marshimit në Romë më 28 tetor 1922, falë të cilit ai mori qeverisjen e vendit, Musolini filloi ndër masat e para reformën e sistemit...

Kalonte tonelata kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës/ Kush është shqiptari misterioz

Emisioni “Në Shënjestër” në News24 ka zbuluar në emisionin e mbrëmjes së sotme identitetin e shqiptarit misterioz, i cili u kthye në një prej...

Lajme të tjera

Web TV