Më 15 mars, u shënua 17-vjetori i shpërthimit tragjik të Gërdecit, një ngjarje që la 26 të vdekur dhe shumë të plagosur në një fabrikë demontimi armësh në vitin 2008. Në një emision televiziv, analisti Arben Meçe ngriti akuza të forta, duke akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha për blerjen e heshtjes së familjarëve të viktimave me mbi 20 milionë euro.
Meçe tha se Berisha përdori këto para për të “blerë” heshtjen e familjarëve, duke theksuar se vetëm familja Durdaj refuzoi të pranonte para. Ai shtoi se këto para dolën nga humbja e buxhetit të shtetit dhe se ishin përdorur për të mbuluar korrupsionin.
Për më tepër, Meçe sugjeroi se armatimi shqiptar i shkatërruar në Gërdec nuk shkonte për asgjësim, por për t’u trafikuar, drejt Hamasit. Ai theksoi se shpërthimi në Gërdec mund të ketë pasur qëllim ndërprerjen e këtij trafiku armësh.
Meçe shprehu gjithashtu skepticizëm për drejtësinë, duke deklaruar se kjo ka përfunduar si një “instrument politik”, dhe se nuk do të ndodhte drejtësi për ngjarjen e Gërdecit.
‘Është aferë ku janë amerikanët në lëvizje. Kemi një takim që u bë nga Fahri Balliu që bëri të gjitha lëvizjet, ishte takim që kishte të bënte me fishekët. Po armatimi nuk shkonte në Gërdec por hipte në avion dhe shkonte në tregun e luftës, kanë shkuar në Hamas. Raketat tonë shkonin në Hamas dhe jo në Gërdec. Gërdeci iu vu zjarri që të shpërthente korrupsioni që të ndërpritej trafiku i armatimit drejt Hamasit. Pra këto armatime futeshin në inventar sikur do të asgjësoheshin në Gërdec dhe nuk shkonin atje, por shkonin në Durrës, futeshin në kontenier. Paratë i merrnin ata që organizuan Gërdecin, kush ishte në themel të tij, ai i merrte lekët. Kush kishte kompetencë që të nxirrte nga depot armatimin e rëndë dhe raketat këtu? Kush kishte kompetencë? Atje shkonin edhe fëmijë 12 vjeç, kush e bënte administrimin atje.
Nuk do të bëhet drejtësi sepse po e shohim se drejtësia është kthyer në një instrument politikë. Le të vemi në çdo vend të Europës dhe të shohim qoftë edhe një goditje me armë të një polici dhe të ngrihet gjithë shteti, kurse këtu ti të vrasësh qytetarë të pafajshëm sepse do të heqin nga pushteti dhe ne heshtim prap’, tha Meçe./ S,M