Nën kujdesin e BE u organizua të hënën konferenca në Bruksel me donatorët për ndihmat në Siri. Por thirrja për financim në ndihmë të vendit të shkatërruar nga lufta pas përmbysjes së Bashar al-Assad-it arriti në premtimin e 5.8 miliardë euro, gjë që konsiderohet një dështim në krahasim me vitin e kaluar; ndërkohë që SHBA nuk u përfshi në këtë mbështetje.
Për herë të parë, autoritetet siriane u përfaqësuan në konferencën vjetore të ndihmës në Bruksel, me ministrin e jashtëm të përkohshëm Assaad al-Shibani.
BE tha se donatorët ndërkombëtarë premtuan 5.8 miliardë euro (6.3 miliardë dollarë), të përbërë nga 4.2 miliardë euro grante dhe 1.6 miliardë në kredi.Kjo ishte më pak se 7.5 miliardë të premtuara në përgjithësi në konferencën e vitit të kaluar. Rënia erdhi pavarësisht se kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Brukseli po rrit angazhimin e tij për këtë vit dhe gati 2.5 miliardë euro (2.7 miliardë dollarë) për të ndihmuar ata në Siri dhe vendet fqinje.
“Sirianët kanë nevojë për mbështetje më të madhe, pavarësisht nëse janë ende jashtë vendit, ose vendosin të shkojnë në shtëpi,” tha ajo në konferencën e Brukselit.
Premtimi nga Brukseli erdhi nga kontribute të rëndësishme nga vende të veçanta, duke përfshirë rreth 330 milionë dollarë nga Gjermania dhe 210 milionë dollarë nga Britania. Por ulja e buxhetit të ndihmës së Uashingtonit nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dukej se kishte një ndikim.
Përfaqësuesja e SHBA-së Natasha Franceschi nuk specifikoi nëse SHBA-të po premtonin ndonjë fond, por këmbënguli se vendet e tjera duhej të bënin më shumë.
“Gjatë 14 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar më shumë ndihmë për popullin sirian se çdo komb tjetër, më shumë se 18.3 miliardë dollarë,” tha Franceschi.
“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë një ndihmë të caktuar në përputhje me politikat dhe ligjet e SHBA-së, por gjithashtu presim që vendet e tjera të ndihmojnë për të përballuar barrën financiare që Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur prej kohësh.”/E.T