Nga Skënder Minxhozi
Bashkëpunëtori i ngushtë i Donald Trump, Richard Grenell, ka shpërndarë në rrjetin social një mesazh kritik të kryeministrit shqiptar në lidhje me ndalimin nga ana e Gjykatës Speciale të Kosovës të ish-presidentit Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në varrimin e të jatit. “Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturp, që e ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Kuvendit të Kosovës në bumerangun më brutal”, shkruante Rama në mesazhin i cili është rishpërndarë nga zyrtari i afërt i presidentit Trump.
Dhe këtu s’ka ndonjë gjë për t’u habitur, pasi është i njohur qëndrimi parimisht skeptik i republikanëve amerikanë ndaj korpusit të drejtësisë, e ndaj prokurorëve e gjyqtarëve amerikanë në veçanti. Saga hetimore e gjyqësore me mbi 90 akuza penale ndaj Donald Trump, rrezikoi ta çonte atë në burg në vjeshtën e vitit të shkuar. Vetëm fitorja e presidencës në 5 nëntor e shpëtoi Trump nga prangat thuajse të sigurta, që po përgatiteshin në disa shtete të SHBA.
Reagimi i Grenell ndërkaq pasqyron jo vetëm këtë kulturë mohimi të qeverisësve aktualë në Amerikë ndaj një pjese të drejtësisë së vendit të tyre, por më gjerësisht edhe ndaj proceseve të tjera gjyqësore ku ndodhen të përfshirë aleatë potencialë të Trump nëpër botë apo edhe zyrtarë që shihen me sy të mirë në Uashington. Prej vitesh Grenell është shprehur kundër procesit ndaj Hashim Thaçit, çka shtoi zërat se një fitore e Trump në zgjedhje do të ishte ndër të tjera edhe një liri e afërt për ish-presidentin kosovar.
Duke e zgjeruar optikën e reagimit të Richard Grenell, ajo çka na tregon dalja e tij në krah të Hashim Thaçit është alergjia aspak e fshehur e administratës aktuale amerikane ndaj teprimeve që sipas tyre sistemet e drejtësisë në vendet e treta po tregojnë ndaj politikës, biznesit e mediave. Ky qëndrim është pjesë e fushatës kundër prokurorëve e gjykatësve që Trump ka ndërmarrë në SHBA, duke premtuar se do t’i ndëshkojë ata që ngritën ndaj tij dhjetra akuza të rënda, por të cilat ranë si me magji sapo ai fitoi zgjedhjet.
Këtu në Shqipëri amerikanët kanë heshtur pas fitores elektorale të Donald Trump, ndaj zhvillimeve të vrullshme që kanë përfshirë sistemin e drejtësisë tonë të re, i cili së fundi është në kurs përplasjeje edhe me “aleatin” e saj kryesor mes elitës politike, shumicën qeverisëse të majtë.
Asnjë deklaratë nuk shënohet nga ambasada amerikane, e aq më pak nga institucionet në Uashington, pasi arrestimi pa gjyq i kryebashkiakut Veliaj provokoi një reagim të ashpër të kryeministrit Rama ndaj SPAK që vijon prej javësh. Duke mos prekur pjesën e hetimit, Rama ka pasur kritika të ashpra ndaj drejtësisë së re për faktin se po aplikon një standart të ashpër paraburgimi për kryebashkiakun e Tiranës. Rastet e Berishës, Metës dhe Veliajt, ku të hetuarit janë arrestuar e burgosur pa u shpallur të pandehur, i janë shtuar ngjarjeve të tjera të debatueshme siç qe përgjimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese pa vendim gjykate.
Rama i kujtoi të mërkurën Altin Dumanit se tashmë ai ka në dorë një shpatë “që ja dhamë ne”. I kujtoi edhe periudhën kur ishte prokuror dhe nuk bënte këto hetime e arrestime që bën sot. Një apel që tingëllon edhe si një tërheqje vëmendje se cili është në të vërtetë “autori dhe pronari” i shpatës që mban sot në dorë drejtësia e re.
E gjitha kjo sherrnajë në distancë mes qeverisë dhe SPAK ka ndodhur pas ngritjes së stekës së hetimeve të drejtësisë së re ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, hetime të cilat kanë vendosur lupën e opinionit publik edhe mbi vetë prokurorët e gjyqtarët.
Shqipëria po konfirmohet edhe një herë si vendi i ekstremeve. Në harkun e pak viteve po kalojmë nga një sistem i dominuar nga partitokracia ku nuk dënohej askush, në një ligj xhungle të vendosur me dorën e hekurt të drejtësisë së re, e cila arreston, përgjon e dënon cilindo me standarte që në disa aspekte ngjajnë teatrale dhe të sofrcuara. Shihni vendimin e Strasburgut për Thoma Gëllçin. Apo nëse doni të dini sesa selektiv dhe “a la carte” është ky grushti i hekurt i drejtësisë speciale, shihni edhe vendimin tjetër të Strasburgut për 21 janarin që shpërfillet nga SPAK si të ishte një copë letër bakalli!
Mes sjelljes së zellshme ndaj Gëllçit dhe heshtjes për 21 janarin apo edhe për Gërdecin, të krijohet përshtypja se ka një qasje selektive të drejtësisë së re ndaj atyre dosjeve të nxehta që kanë mbajtur pezull shqiptarët për dekada të tëra e që kanë qenë ndër shtysat kryesore për vetë reformën në drejtësi pas vitit 2013.
Në këtë konteskt edhe postimi i mesazhit të Ramës nga Grenell, në dukje i largët nga konteksti shqiptar, në fakt nuk është i tillë. Amerikanët që qeverisin sot në Uashington, kanë alergji të shprehur ndaj gjykatave e prokurorëve që ashtu si në rastin e Hashim Thaçit, tregojnë një zell të tepruar për të zgjatur listën e akuzave dhe bërë presion mbi të akuzuarit. Pas nëntë viteve që paketa kushtetuese e reformës në drejtësi u votua në Kuvendi, është koha që drejtësia e re shqiptare të gjejë dhe ndjekë ekuilibrin e brishtë mes të drejtave dhe hetimit e dënimit të krimit e korrupsionit. Administrata e sotme Trump e përmend çdo ditë këtë mesazh të fortë ndaj sistemit të saj të drejtësisë. Me ose pa të drejtë, në mënyrë normale apo edhe duke e politizuar e shtyrë përtej linjave. Kjo skakierë ku luan politika dhe ligji, politikani dhe prokurori a gjyqtari, është shumë komplekse dhe delikate dhe e ndjeshme. Duhet një sens mase dhe vetëpërmbajtjeje ku ne shqiptarët kemi dëshmuar historikisht e në mënyrë të përsëritur se jemi të pazotët të sillemi kujdesshëm. Dhe po na ra në dorë shpata, duam ta përdorim siç duam, jo siç duhet./ S,M