Nga Mitro Çela
Ja dhe Leskoviku. Një “pëllëmbë” qytet.
I pastër.
Shtëpi dhe ndërtesa tre kate, nga epoka e Enverit: gur dhe tulla.
Disa të rrënuara: plagë të emigracionit.
Bëra një shëtitje.
Rrezë një rrapi shekullor, është busti i Jani Vretos-Rilindas i Madh.
Eca. Hapa sytë majtas e djathtas.
Kërkoja dy buste.
Së pari.
Bustin e Pandeli Sotirit. Mësues i Popullit.
Nuk e gjeta.
Së dyti.
Bustin e Asllan Rusit.
Volejbollisti më i madh në Shqipëri.
Pak a shumë si Panajot Pano në futboll dhe Agim Fagu në basketboll.
Asllan Rusi ishte stërnip i Naim Frashërit dhe Shahin Kolonjës.
Babai student në Francë. Hapi farmaci
në Tiranë.
Asllani lindi në vitin 1945. I gjatë. I fuqishëm. I bukur. Atlet.
U bë kapiten i “Dinamos” dhe i kombëtares.
Volejboll luante edhe Pranvera Hoxha.
Vajza e Enverit.
U panë. U dashuruan me shikimin e parë.
U hap lajmi. Bombë?!
Kur e pikasi Nexhmija mori dy vendime.
E hoqi Pranverën nga volejbolli.
E “burgosi” në bllok.
Asllanit i vunë si “bodigardë” sigurimin.
E kërcënuan. E poshtëruan. E rrahën.
E përjashtuan nga sporti?!
E “burgosën” në psikiatri.
Ilaçe pa doganë.
I sëmurë, vdiq në vitin 1983.
Ju bë një varrim madhështor:
nga miqtë dhe shokët.
Në demokraci pallatit të lojrave me dorë i vunë emrin “Asllan Rusi”.
Leskoviku ka histori të lashtë.
Por u bë i njohur në mesjetë- falë tregëtisë dhe zejtarisë.
Ishte “nyje” mes Konicës, Korçës dhe Janinës.
Pasuria e bëri Leskovikun vendin e bejlerëve dhe pashallarëve.
Të pasur. Të mënçur. Të shkolluar.
Një pjesë bënë karierë në perandorinë osmane: politikanë, diplomatë.
Leskoviku u bë “kryeqyteti” i sazeve.
Sazet e Leskovikut i bëri me famë një grua dhe familja e saj.
Familja jetonte mes Stambollit dhe Leskovikut.
Quhej Hafize Leskoviku.
I binte violinës.
Në klarinetë Selimi-vëllai.
Në llahutë Asllani-babi.-
Shënim.
Në vitin 2016, këngëtari përmetar, Artur Zeqiri – nxënës i Laver Bariut-solli në “Muzeun Kombetar “ violinën e Hafize Leskovikut.
127 vjeçare.
-E ekspozova, por nuk e lashë në muze,-thotë Arturi.- Muzeu nuk ka kushte për të ruajtur veglat muzikore.
Hafizeja kishte një zë të rrallë. Një Vaçe Zelë e sazeve popullore.
Pak e njohur. Me afersi dihet kur lindi ( 1870-75) dhe kur vdiq. ( Iku në Stamboll në vitin 1922. )
Nuk u martua. Nuk bëri fëmijë. Këndoi vetëm këngë të pa vdekëshme.
Pak e dinë se në filmin “Gjeneral gramafoni” , skenari në zanafillë kishte edhe historinë e familjes së Hafize Leskovikut.
Leskoviku në vitet ‘90- të, kishte 10 mijë banorë.
Sot vetëm 399?! As fshat. As qytet…
Buzë rrugës hotel “Melesini”.
Dikur ka qënë fabrika e verës.
Në demokraci u rrënua. Në viti 1994 e bleu Ekerem Bardha. Prodhoi disa vite verë…
E braktisi.
Normale. Jetonte në Amerikë. Donte verë në Leskovik?!
Para disa viteve rrënojat i bleu Artan Gaçi.
Me fantazi bëri projektin e hotelit mbi rrënoja.
Çmënduri? Mundet. Por Artani shihte më larg.
Imagjinonte turistë.
Pse? Për ujrat termale. Për lëndinat. Për pyjet me pisha. Për Vjosën. Nemërçkën. Melesinin…Në kufi Greqia…
Por duhej së pari një hotel.
Ai projektoi diçka futuriste.
Rrënojat janë veshur me gurë, beton dhe hekur dekorativ.
Brenda në restorant është impianti.
Impianti u importua nga Italia. U prodhua në Firence.
Më shumë duket si dekor për restorantin, se sa për të zier rrush dhe dëllinjë.
Në vitrina disa shishe xhin. Raki. Verë.
Janë me cilësi: Në kodrat e Leskovikut, rriten dëllinjat-lëndë e parë për xhin. Lëndë e parë bio.
Vreshti që të bëjë rrush cilësor kërkon:
Ditë te nxehta dhe netë të freskëta.
Këto kushte ideale i ka Leskoviku. Si rrallë në Jug.
U ulëm në restorant. Në menu 5-6 asortimene.
-Pronari na ka porositur. Mos u allakatni. Gatuani ato që dini: derr dhe lepur i egër, biftek, makarona, petulla…-Tha kamarierja.
-Je leskoviqare?
-E nakatosur. Mamane nga Permeti. Babanë nga Korça.
-Kur isha nxenëse në Tiranë, vija shpesh në Leskovik. Kam një hallë.
U dashurova me një djalë…Lashë shkollën….
-E kuptova. Të pickoi gjarpëri, -thoshte mamaja ime. Mbete shtatëzanë…
-Çfarë të duhet ty?!-Tha Ezmerka.-
-Sepse mu kujtua historia e motrës sime- Leonora.
Ishte nxënëse në shkollën Pedagogjike në Korçë.
Kur ishte në vitin e fundit i thotë masë.
-Më ka zënë qymyri me një djalë. Do martohem dhe do shkoj të jetoj në Vithëkuq.
-Na na! Kallogre. Lëre korçarin të gjëj unë një djalë në Tiranë.
-Ashtu?! Lëre dhe ti babain.
Dhe Lonora jetoi 8 vjet si mësuese në Mokërr…
I pyeta zonjat me radhë. Njera ishte nga Plugu-Lushnjë. Tjetra nga Topojani-Përmet.
Në një tavolinë bisedonin dy djem anglisht.
Ishin nga Tajlanda. Punonin në fermën “Sotiraj”…
Leskoviku është “tharë” për djem e vajza.