Një furtunë e papritur duket se ka shpërthyer brenda Bashkisë së Tiranës, teksa kryeministri Edi Rama ka nisur një valë spastrimesh të njerëzve më të afërt të Erion Veliajt.
Mbrëmë vonë, Rama ka shkuar vetë në Bashki, ku ka qëndruara disa orë, ndërsa ka urdhëruar menjëherë shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Alban Dokushi, vetëm një ditë pasi ky i fundit u thirr në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Njëkohësisht, dyshohet se fatin e Dokushit ka pësuar edhe Sara Goxhaj, e cila sapo ishte emëruar nënkryetare pas largimit nga posti i drejtoreshës së kabinetit. Mësohet Rama është nxehur dhe i ka kërkuar drejtoreshës së Burimeve Njerëzore largimin e saj në çast.
Por ky është një sinjal i qartë se kryeministri ka vendosur të spastrojë Bashkinë nga njerëzit e Veliajt, duke konfirmuar përçarjen e madhe brenda Partisë Socialiste. Sipas burimeve të brendshme, kjo është vetëm lëvizja e parë, pasi në listë pritet të ketë emra të tjerë të rëndësishëm që do të shkarkohen së shpejti.
Madje nuk përjashtohet as mundësia që vetë kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës të jetë në prag të shkarkimit. Megjithatë e gjithë kjo panoramë tregon se tensionet mes Ramës dhe Veliajt kanë qenë të dukshme prej kohësh, por kjo është goditja më e fortë që i jepet pasardhësit të tij të mundshëm në PS. Pra lufta për pushtet ka hyrë në një fazë të re dhe ajo që po ndodh në Bashkinë e Tiranës është vetëm fillimi i një beteje të egër brenda socialistëve.
Dokushi në SPAK
Ndërkohë kujtojmë se Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi është paraqitur në SPAK dy ditë më parë (mesditën e 18 Marsit). Alban Dokushi mësohet se është thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm për çështjen “Veliaj”, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Ai është njeriu më i afërt i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës dhe e ka shoqëruar Erion Veliaj në SPAK kur është thirrur për t’u marrë në pyetje, para se të prangosej. Gjithashtu Alban Dokushi është i pari që vizituar kryebashkiakun Veliaj në qelitë e paraburgimit tek Blloku i Sigurisë tek Mine Peza, pas arrestimit të tij më 10 Shkurt.
Zyrtari i Bashkisë e takoi Veliaj një ditë pas prangosej dhe shihej duke mbajtur në duar disa dokumente dhe librin “The Black Swan”, të cilin mesa duket ia dërgoi kryebashkiakut për ta lexuar në paraburgim.
Gjithashtu, Alban Dokushi mbante në duar edhe disa dokumente. Libri fokusohet në ndikimin ekstrem të ngjarjeve të rralla dhe të paparashikueshme të jashtme dhe tendencën njerëzore për të gjetur shpjegime të thjeshta për këto ngjarje, në mënyrë retrospektive./ S,M