Parlamenti Europian ka pasur në lupë veprimtarinë e Strukturës së Posaçme për Antikurrupsionin (SPAK) si dhe presionin që i është bërë asaj nga politika. SPAK është lexuar nga Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder edhe si subject I kërcënuar edhe si një institucion që ka bërë shumë punë në luftën kundër korrupsionit.
Ndërhyrjet dhe presioni politik ndaj gjyqësorit shihen si shqetësim në draft raportin për Shqipërinë, i dorëzuar pranë Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Dokumenti, që pritet të miratohet nga eurodeputetët gjatë javëve në vijim, tërheq gjithashtu vëmendjen ndaj rrezikut të cënimit të pavarësisë institucionale të SPAK, duke theksuar rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ka dorëzuar draft raportin ku shteti i së drejtës zë një vend qendror. Parlamenti Europian vlerëson përparimin e Shqipërisë në zbatimin e reformave në drejtësi, përfshirë përfundimin e procesit të vetingut në shkallë të parë, por shpreh shqetësim për ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe presionin mbi sistemin gjyqësor. “Parlamenti Evropian nënvizon punën kyçe të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri në ndërtimin e një historiku të hetimit, ndjekjes penale dhe dënimit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë; tërheq vëmendjen kundër cenimit të punës së institucioneve të pavarura si SPAK”, thuhet në raport. Raporti nënvizon se pavarësia e institucioneve të drejtësisë duhet të mbetet e paprekshme, duke theksuar se çdo formë trysnie politike mbi gjyqësorin rrezikon besueshmërinë e procesit të reformave. “Parlamenti Evropian përshëndet progresin që ka arritur Shqipëria në zbatimin e reformave në drejtësi, përfshirë procesin e vetingut, të përfunduar në shkallë të parë; megjithatë shpreh shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe presionin mbi sistemin gjyqësor”, thuhet në raport.
SPAK për korrupsionin
Dokumenti vlerëson punën e SPAK në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, por paralajmëron për rrezikun e cënimit të pavarësisë së kësaj strukture nga ndikimet politike. Parlamentit Europian e cilëson SPAK si një mekanizëm kyç në ndërtimin e një historiku të besueshëm hetimesh dhe dënimesh për korrupsionin në nivelet e larta të pushtetit. Draft raporti thekson gjithashtu se pavarësia e institucioneve të drejtësisë nuk duhet të vihet në rrezik, duke kërkuar respektimin e plotë të kompetencave të SPAK dhe institucioneve të tjera të drejtësisë në përmbushjen e misionit të tyre.
Mungesa e llogaridhënies
Përtej çështjeve të drejtësisë, raporti ngre shqetësime për nivelin e ulët të transparencës së autoriteteve në të gjitha nivelet. Sipas dokumentit, Parlamenti Europian rikujton përgjegjësinë e institucioneve shqiptare për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien, duke theksuar nevojën për konsultime të rregullta publike me qytetarët dhe palët e interesuara. Në këtë kuadër, vëren me shqetësim se zbatimi i kuadrit ligjor për konsultimet publike nga Kuvendi i Shqipërisë mbetet kryesisht formal, duke kërkuar përmirësime konkrete në këtë drejtim. Draft raporti vëren me shqetësim situatën e medias në Shqipëri, duke nënvizuar se çdo rishikim i ligjit për mediat duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Sipas PE-së, një mjedis mediatik i lirë dhe i pavarur është thelbësor për demokracinë dhe integrimin europian të vendit. “Parlamenti Evropian rikujton përgjegjësinë e autoriteteve kombëtare dhe lokale për të përmirësuar transparencën, llogaridhënien dhe gjithëpërfshirjen duke kryer konsultime kuptimplota dhe të rregullta publike me palët e interesuara; vëren me shqetësim se zbatimi i kuadrit ligjor për konsultimet publike nga Kuvendi i Shqipërisë mbetet kryesisht formal”, thuhet në raport. Dokumenti konfirmon gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, duke synuar mbylljen e grupkapitujve të integrimit deri në vitin 2027. Parlamenti Europian vlerëson harmonizimin e plotë të politikës së jashtme shqiptare me atë të Bashkimit Europian, duke e cilësuar këtë një hap pozitiv në rrugën drejt anëtarësimit. Ndërkohë, grupi socialdemokrat në Parlamentin Europian ka rikonfirmuar mbështetjen për Shqipërinë, duke e konsideruar të realizueshme synimin për anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2030. Megjithatë, sipas eurodeputetëve, sfidat kryesore mbeten polarizimi politik, reformat antikorrupsion, reforma zgjedhore, liria e medias dhe mbrojtja e mjedisit. Shqipëria është në pritje të mbajtjes së konferencës së katërt qeveritare për grupkapitujt e Tregut të Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen Gjithëpërfshirëse, ndërsa në fund të vitit të kaluar janë hapur negociatat për Themeloret dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Draft raporti pritet të kalojë për miratim nga eurodeputetët në javët e ardhshme, ndërkohë që Shqipëria vazhdon përpjekjet për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE.