Pas nënshkrimit të aleancës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës e Kroacisë, ashpërsohen tonet mes Beogradit e Prishtinës. Kosova e dënon reagimin e Serbisë si agresiv.
Beogradi dhe Prishtina ashpërsojnë retorikën pas nënshkrimit të deklaratës për aleancë ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Deklarata u nënshkrua dy ditë më parë në Tiranë ndërmjet ministrave të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, atij të Kroacisë, Ivan Anušić, dhe ministrit kosovar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Të tre ministrat thanë se synimi i kësaj aleance mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe theksuan se aleanca nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.
Deklarata për aleancë ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar në Tiranë ka për qëllim “promovimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike, si dhe ofrimin e mbështetjes së plotë për integrimin euro-atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale. Për t’iu bashkuar kësaj aleance është ftuar edhe Bullgaria, duke e bërë këtë aleancë të parën të këtij lloji në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ministria e Jashtme serbe flet për provokim
I menjëhershëm ishte reagimi i Serbisë përmes Ministrisë së Jashtme, e cila e konsideron “provokim” marrëveshjen për aleancën ushtarake të nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Në reagimin e saj, Serbia thotë se “do t’u dërgojë kërkesë urgjente ministrive të jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë, duke kërkuar shpjegim të detajuar.”
“Me këtë marrëveshje, këto dy shtete, së bashku me përfaqësuesin e paligjshëm të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, kanë ndërmarrë hapa që dëmtojnë stabilitetin rajonal. Serbia, si një shtet që garanton paqen dhe neutralitetin ushtarak në Ballkan, me të drejtë kërkon përgjigje mbi natyrën dhe objektivat e këtij bashkëpunimi në fushën e sigurisë,” thuhet në reagimin e Beogradit zyrtar, duke shtuar se “Serbia e sheh si fakt shqetësues pse kjo aleancë ushtarake është formuar pa asnjë konsultim me Beogradin.”
“Serbia pretendon se armatosja e njëanshme dhe bashkëpunimi ushtarak me struktura të paligjshme në territorin e Kosovës përbën shkelje të rëndë të rendit juridik ndërkombëtar dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen rajonale,” thuhet në reagimin e Beogradit zyrtar.
Kosova e dënon deklaratën e Serbisë
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës e dënon ashpër deklaratën e Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh në fushën ushtarake Kosovë-Kroaci-Shqipëri. Sipas ministres së jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, deklarata e Serbisë “nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit”.
Sipas Gërvallës, “duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën”. “Retorika e Serbisë është e mbushur me tone hegjemoniste, pasi ajo përpiqet të paraqitet si fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga Kroacia dhe Shqipëria, dy shtete sovrane, të dyja anëtare të NATO-s, me
Kroacinë gjithashtu anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo sjellje është tërësisht e papranueshme dhe përbën një tjetër shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera,” thotë Donika Gërvalla.
Burimi: DW
Osmani: Vendimin nëse do të garoj për mandatin e dytë do ta marr bazuar në interesin e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë “vetëm duke pasur parasysh interesin” e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Mandati pesëvjeçar i presidentes Osmani përfundon më 7 prill të vitit 2026.
“Nga viti i ardhshëm do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj”, tha Osmani për media në Prishtinë.
Njohësit e çështjeve politike kanë thënë se koalicionet eventuale pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mund ta përfshijnë edhe çështjen e pozitës së presidentit të Kosovës.
Posti i presidentit të Kosovës është kryesisht ceremonial, por luan rol udhëheqës në politikën e jashtme dhe si komandant i forcave të armatosura.
Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane tha se, në rast se partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje do ta formojë qeverinë e re me ndonjë nga partitë opozitare shqiptare, atëherë çështja e postit të presidentit të Kosovës do të jetë në tavolinën e “pazareve politike”.
Osmani e mori mandatin më 4 prill të vitit 2021, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt 2021. Me partinë e saj Guxo, që ka qenë në listë të përbashkët me Vetëvendosjen, Osmani ishte personi më i votuar në ato zgjedhje, me mbi 300 mijë vota.
Ajo u zgjodh presidente nga Kuvendi i Kosovës në rundin e tretë të votimit, pasi mori 71 vota nga 82 deputetë sa ishin të pranishëm në seancën e zgjedhjes së saj.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Kosovës nuk mund t’i mbajë më shumë se dy mandate.
Zgjedhjen e presidentit, Kuvendi i Kosovës duhet ta votojë me dy të tretat e votave të 120 deputetëve sa i ka gjithsej. Në rast se kandidati për president nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.