George Foreman, një nga boksierët më të nëdhenj të historisë, u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare.
Familja e tij njoftoi ndarjen nga jeta të ish-kampionit të dyfishtë të botës dhe fituesit të medaljes së artë olimpike më 22 mars 2025.
Lindur më 10 janar 1949 në Marshall, Teksas, Foreman u rrit në një familje të varfër me gjashtë vëllezër e motra.
Në rininë e tij, ai braktisi shkollën dhe u përfshi në krime të vogla, por më pas gjeti shpëtim në boks. Në moshën 19-vjeçare, ai fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Meksiko Sitit në 1968.
Në boksin profesionist, Foreman fitoi titullin e parë botëror në vitin 1973 duke mundur kampionin e pamposhtur Joe Frazier me gjashtë rrëzime brenda dy raundeve.
Një vit më vonë, ai u përball me legjendën Muhammad Ali në ndeshjen historike “Rumble in the Jungle” në Zaire.
Në atë sfidë, Ali përdori taktikën e famshme “rope-a-dope”, duke e lodhur Foremanin dhe duke e nokautuar në raundin e tetë.
Pas humbjes ndaj Aliut dhe një disfate tjetër, Foreman u tërhoq nga boksi në vitin 1977 dhe u bë pastor. Ai themeloi kishën e tij në Teksas dhe predikoi për shumë vite.
Megjithatë, në 1987, ai bëri një rikthim të jashtëzakonshëm në boks dhe në 1994, në moshën 45-vjeçare, u bë kampioni më i vjetër i peshave të rënda duke mposhtur Michael Moorer.
Pasi u tërhoq përfundimisht nga sporti në 1997, Foreman u bë një biznesmen i suksesshëm, duke fituar miliona nga linja e tij e njohur e grilave “George Foreman Grill”.
Familja e tij e kujtoi si një njeri të devotshëm, humanitar dhe një ikonë të sportit. Ai do të mbahet mend si një kampion brenda dhe jashtë ringut./k.k