Nga Ali Kiliç
Ballkani, gjatë gjithë historisë, ka qenë një hapësirë unike ku janë përzier besimet, kulturat dhe popujt. Një nga rrymat shpirtërore që ka lulezuar në këto troje është Bektashizmi, i cili prej shekujsh ka qenë simbol i paqes, dashurisë dhe vëllazërisë. Sot, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, nuk është vetëm thjesht një qytet, por gjithashtu po formësohet si zemra shpirtërore e botës bektashiane.
Pas mbylljes së teqeve dhe zavijeve në Turqi në vitin 1925 dhe shuarjes zyrtare të funksionit të Teqesë së Haxhi Bektash Veliut, qendra institucionale zyrtare e Bektashizmit u zhvendos në Tiranë. Që nga ajo ditë, Ballkani, duke përfshirë brenda edhe Anadollin ka vazhduar të jetë zëri i besimit në një gjeografie të gjerë. Edhe pse kur përmendet Alevizmi dhe Bektashizmi kryesisht të vje në mendje Anadolli, rrënjët e kësaj rruge në Ballkan janë po aq të thella dhe të lashta.
Nga Horasani në Ballkan: Udhëtimi i Heshtur i Bektashizmit
Bektashizmi nuk është vetëm një sistem besimi, por një udhëtim i thellë i njeriut drejt vetes së tij. Të ecësh në këtë rrugë nuk është një trashëgimi që vjen nga lindja, por një dorëzim i vetëdijshëm dhe vullnetar që quhet “nasip”. Çdo udhëtar drejtohet në këtë rrugë me një thirrje të brendshme; hedh hapin e parë me duke dëgjuar zërin e zemrës, nën udhëheqjen dhe drejtimin e arsyes dhe mendjes.
Prej shekujsh, nga Trakia në Kosovë, nga Maqedonia në Shqipëri, kjo rrugë është mbajtur gjallë. Çdo rajon i ka shtuar edhe ngjyrën e vet këtij tradicioni, por në thelb është ruajtur e njëjta e vërtetë hakikat.
Shumë bektashinj që jetojnë në Ballkan, kur pyeten për origjinën e tyre, thonë: “Ne jemi nga Erenjtë (erenlerët) e Horasanit.” Pason një heshtje e shkurtër… dhe pastaj shtojnë: “Jemi shpërngulur nga Karamani.” Këto fjalë nuk janë vetëm një rrëfim i trashëguar brez pas brezi, por është një shenjë e një kujtese historike dhe një vetëdije kolektive.
Pas shkatërrimit të Principatës së Karamanoğullarëve në vitin 1466, grupet nomade turkmene të Anadollit, me udhëheqjen e Perandorisë Osmane, u zhvendosën në Ballkan. Por kjo shpërngulje nuk ishte vetëm një ndryshim gjeografik; ishte gjithashtu një derë drejt transformimit kulturor, fetar dhe identitar. Me Luftën Ruso-Turke të viteve 1877–78 dhe Shkëmbimin e Popullsive në vitin 1924, kjo lëvizje u thellua edhe më shumë. Në çdo udhëtim, fryma shpirtërore e Horasanit u largua pak më shumë; por në zemra një shkëndijë gjithmonë mbeti e ndezur.
Megjithatë, ky transformim nuk ishte pa dhimbje. Teqetë bektashiane me kohën u mbyllën një nga një. Besimtarët u shtynë drejt procesit të sunnitizimit nën presion, duke u larguar nga strukturat e tyre tradicionale. Por, edhe pse muret prej guri u rrëzuan, në disa zemra thelbi i rrugës mbeti i gjallë.
Sepse Bektashizmi nuk kufizohet në kohë apo hapësirë. Ai ecën në zemrën e udhëtarit; ringjallet ndonjëherë në një frymëmarrje, ndonjëherë në një lutje.
Rindërtimi i një Rruge: Qendra Bektashiane në Tiranë
Një nga emrat që po bashkon heshtjen e së kaluarës me zërin e së ardhmes është Baba Mondi. Pas kalimit në amshim të Dedebaba Reshat Bardhit, Baba Mondi mori drejtimin shpirtëror të botës bektashiane. Ai nuk është thjeshtë vetëm një udhëheqës shpirtëror, por edhe një strateg. Qendra Botërore Bektashiane në Tiranë po hap rrugët e një ringjalljeje në Ballkan vitet e fundit. Teqetë e mbyllura po rihapen, brezit të ri po i shpjegohet Bektashizmi dhe po kërkohen rrugë dialogu me grupe të ndryshme fetare.
Në këtë qendër, çdo javë priten ambasadorë nga vende të ndryshme, juristët punojnë për një status të ri dhe ndërtohen ura miqësie ndërfetare. Madje thuhet se pas kontakteve me Vatikanin edhe Papa Françesku ka treguar interes për Bektashizmin. Këto janë zhvillime të rëndësishme që tregojnë se kjo rrugë mistike po bëhet gjithnjë e më shumë një aktor diplomatik.
“Motoja jonë është Dashuria”
Në një bisedë me Baba Mondin përpara Nevruzit, ai e përmblodhi vizionin e tij të së ardhmes me këto fjalë:
“Shumë shpejt do të krijohet një Shtet Bektashian. As në Turqi, as në Iran bektashinjtë nuk janë të qetë. Ne nuk do të kemi armë. Motoja jonë është dashuria. Ndërkohë që në Lindjen e Mesme flasin armët, ne do të bërtasim dashurinë. Zoti nuk urdhëron asgjë me dhunë. Do ta kërkojmë të vërtetën me mendje dhe do të ecim me dashuri. Ne, me pasion jemi të lidhur me dashurinë.”
Këto fjalë nuk janë vetëm deklarata të një lideri; ato janë gjithashtu jehona e një besimi që është detyruar të qëndrojë i heshtur me shekuj. “Shteti Bektashi” që thotë Baba Mondi është një republikë mendimi që do të ndërtohet jo me luftë, por me dashuri. Me mbështetjen e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, ky projekt pritet të ndërtohet në mënyrë simbolike në një zonë të varfër në lindje të Tiranës. Edhe pse ky shtet do të jetë më i vogël se një e katërta e Vatikanit për nga sipërfaqja, ai ka potencialin të tërheqë vëmendjen e botës për kuptimin dhe thellësinë shpirtërore që mbart.
Kur ia kujtova Baba Mondit se ky shtet do të ishte shumë i vogël, ai buzëqeshi dhe tha:
“Po, do të jetë i vogël. Por zemra dhe filozofia jonë janë shumë të mëdha. Pasuria jonë më e madhe është dashuria.”
Nevruzi: Festa e Ringjalljes dhe Paqes
Ajo që po ndodh në Tiranë nuk është vetëm ringjallja e një besimi, por gjithashtu sinjal i fuqishëm për ndërtimin e një vizioni të ri të qytetërimit. Bektashizmi, përmes marrëdhënies që ka krijuar me botën moderne, nuk është më vetëm një sistem besimi; tashmë po ripërcaktohet si një projekt paqeje, një gjuhë dashurie, një vizion njerëzor.
Nevruzi në Ballkan tashmë ka një kuptim të ri:
Të lindësh me dashuri, të rritesh me paqe, të jetosh me pasionin e dashurisë./k.k