Protestuesit kanë kërkuar që Bashkia dhe qeveria të rishikojnë projektin, duke paralajmëruar se, në të kundërt, protestat do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen.
Banorët e Tragjasit janë mbledhur sërish në qendër të fshatit për të protestuar kundër projektit që synon furnizimin me ujë të pijshëm të fshatrave të Bashkisë së Himarës. Kësaj proteste i janë bashkuar edhe banorë të diasporës nga vende si Strasburgu, Çikago, Greqia dhe Italia, të cilët kërkojnë anulimin e projektit.
Sipas tyre, burimet ujore të Izvorit nuk janë të mjaftueshme as për banorët e Tragjasit, Radhimës dhe Orikumit, e jo më për furnizimin e fshatrave dhe resorteve turistike të Himarës.
Protestuesit kanë kërkuar që Bashkia dhe qeveria të rishikojnë projektin, duke paralajmëruar se, në të kundërt, protestat do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen.
Lidhur me këtë çështje ka folur edhe avokatja Suela Konxhioni, e cila po ndjek ligjërisht rastin. Ajo ka deklaruar se do të ngrihet një padi kundër institucioneve që kanë firmosur lejen për këtë projekt, duke argumentuar se ka shkelje të rënda ligjore. Sipas Konxhionit, matjet për prurjet e ujit janë kryer në vitet 2018 dhe 2022-2023, dhe sipas projektuesve, uji rezulton i mjaftueshëm. Megjithatë, ekspertët e pavarur të angazhuar nga banorët kanë kryer matje të tjera, të cilat tregojnë se sasia e ujit është shumë më e vogël nga sa është deklaruar në projekt.
Banorët e Tragjasit janë shprehur se nuk do të ndalen me kaq, por do të përshkallëzojnë protestat, madje duke kërkuar edhe një takim me kryeministrin Edi Rama./k.k