Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, ka uruar sot ish-bashkëshortin e saj për 56-vjetorin. Teksa ka shpërndarë një foto të kreut të PL Ilir Meta, Kryemadhi ka uruar këtë të fundit edhe pse është divorcuar.
Ajo shprehet se kjo ditëlindje e gjeti ndryshe nga herët e tjera, por megjithatë uron që dhuratën më të bukur këtë vit ta marrë më 11 maj, duke nënkuptuar fitoren.
“I uroj ditëlindjen Ilir Metës sot në 56 vjetorin e tij. Sot kjo ditëlindje është ndryshe nga çdo ditëlindje tjetër por ka një veçori komplet tjetër në këndvështrimin tim. Sot të gjithë kanë detyrimin që urimin ndaj teje ta bëjnë duke iu kujtuar çdo miku që në 11 maj votat e tyre të jenë për ty Ilir Metaj në radhë të parë sepse si gjithmonë e vendos veten sakrificë për të tjerët dhe vendos parimet e tua morale politike para interesit tënd personal.
Dhuratat mund të jenë të ndryshme për ditën e ditëlindjes por unë sot të uroj që dhuratën më të bukur këtë vit ta marrësh me 11 maj ku më shumë se kurrë çdo mik apo ish mik i yti , dashamirës besoj kanë mundësinë që të bëjnë veprimin më të thjeshtë duke të votuar ty, por që në fakt është mundësi ndryshimi për ta dhe për gjithë Shqipërinë.
Gëzuar ditëlindjen Ilir Metaj!”, shkruan Kryemadhi në rrjetet sociale.
Ilir Meta u arrestua nga SPAK i akuzuar për korrupsion, pastrim parash, pasuri të paligjshme, fshehje pasurie e lobime financiare me qarqet mafioze, gjatë ushtrimit të detyrave të larta shtetore e partiake si kryetar i LSI./ S,M