Gazetari Basir Çollaku ka akuzuar SPAK-un për mosveprim ndaj krimeve zgjedhore, duke theksuar se dosjet e bujshme si 184 dhe 339 përmbajnë emra të shumtë që sot janë kandidatë për deputetë të Partisë Socialiste. Gjatë një bisede televizive, Çollaku deklaroi se struktura e posaçme kundër korrupsionit ka pasur kohën, mundësinë dhe informacionin e nevojshëm për të ndërmarrë veprime konkrete, por nuk ka bërë asnjë hap të rëndësishëm.
Ai u shpreh se në terren shkeljet zgjedhore janë të dukshme dhe ndikimi politik është i qartë. Përgjimet e dosjeve të mëparshme tregojnë një skemë të përsëritur të përfshirjes së figurave politike dhe të zyrtarëve të policisë në manipulime elektorale dhe veprimtari të paligjshme.
Sipas tij, SPAK duhet të kishte dhënë një shembull për të ndihmuar qytetarët të “vrasin frikën” nga kërcënimet dhe presionet e pushtetit qendror dhe lokal. Ai theksoi se presionet për të mos marrë pjesë në takime opozitare apo për të mbështetur kandidatët e caktuar janë të përditshme dhe shoqërohen me kërcënime për humbjen e vendeve të punës.
Çollaku theksoi se hapja e hetimeve për dosjen 184 do të zbulonte informacione të reja mbi atë që po ndodh në fushatën aktuale, duke shtuar se miliona euro po shpenzohen në mënyrë të dyshimtë për fushatën elektorale. Ai kritikoi SPAK-un për mungesën e aksioneve konkrete dhe për faktin se emrat e përfshirë në këto dosje vazhdojnë të jenë aktivë në politikë dhe fushatë elektorale.
‘Shkelet e ligjit zgjedhor në terren janë ulëritëse. Kemi dëgjuar përgjimet e dosjeve 184, 339, të gjithë ata sot janë në terren. Sa ka që bërtasim në studion tuaj, ka mbi 40 dosje të ardhur nga Sky dhe gjysma e dosjeve janë krim elektoral dhe gjysma e atyre emrave janë kandidatë sot.
Ka dhe oficerë policie që janë në ato përgjime, me krim elektoral, me krim droge dhë janë në fushatë elektorale.
Njërin prej tyre e kam denoncuar edhe unë në qarkun ku jam unë aktualisht.
Kam qenë në një numër të madh vendesh në Mat, dhe njëri prej tyre më tha se, duhet me i telefonu komshiut që të fikë llampën se spo na ndizet llampa në shtëpi.
Është mbushë zona me tabela elektorale, me asfalte elektorale.
E thirrën Vangjush Dakon në SPAK, Ardian Çelën, është edhe 184. Të gjithë janë në fushatë, shumica janë dhe kandidatë. Miliona euro po harxhojnë.
SPAK ka pasur, kohë, mundësi, informacion dhe infrastrukturë për të bërë një shembull deri më tani.
Rikthimi i hetimit për dosjen 184 do të thoshte që gjithë ata emra, gjysma e kandidatëve të PS do të riktheheshin në përgjim, dhe do të nxirrnin xhevahire të reja se çfarë po ndodh.
Ka kanosje të përditshme të çdo ore të pushtetit qendror dhe lokal, mos shko në takim, do të heq nga puna, nëse shkon.
Njerëzit si duhet ta vrasin frikën, nëse shohin një shembull, real, kjo është ndihma që struktura e posaçme jep, nuk duhet ta shpikë, i kanë gati’, tha gazetari Basir Çollaku/e.t