“Relativisht janë rritur, diskutohet për 10-20%, në funksion të llojit të mjetit”, kështu u shpreh eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan. Ditët e fundit edhe pse nuk mori bujë të madhe, qarkulloji lajmi për rritjen e tarifave të sigurimit të automjete.
Sipas asaj që bëri të ditur Sulçe, tarifa nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë përdoruesit e automjeteve. Vlera e tarifës do të jetë në raport me performancën e qytetarit gjatë drejtimit të mjetin. Këtu përfshihen gjobat, duhet theksuar dallimi mes gjobave për parkim dhe atyre në rast aksidenti, pasi kanë role të ndryshëm. Gjithashtu merret parasysh dhe rrezikshmëria e personit gjatë drejtimit të automjetit, sa i respekton ai Rregullat e Qarkullimit Rrugor.
“Është përcaktuar performanca e çdolloji drejtuesi të mjetit, kjo në raport me rrezikun që ka ai në qarkullimin me mjet. Qofshin gjoba apo aksidente, sepse të dyja këto tregojnë një rrezik dhe një moszbatim të Rregullave të Qarkullimit Rrugor.”
Sipas asaj që sqaroi eksperti, vlera e tarifës është e ndryshme për një person që ka vite që është pajisur me leje drejtimi dhe një “shoferi të ri”. Gjithashtu vjetërsia e makinës ka një rol në uljen apo ngritjen e përqindjes së tarifës.
“Janë disa koefiçentë që merren parasysh në sajë të historikut që ka çdo person që drejton një automjet. Edhe bota e ka, që një shofer i ri, i cili sapo ka marrë lejen e drejtimit, ai sigurimet i ka me risk të lartë sepse akoma nuk është ambientuar, akoma nuk është kthyer në një rutinë lëvizja e tij dhe është krejt normale. Ky është dhe motivi që ndiqet pak a shumë dhe në vendin tonë.”
Edhe pse sigurimet e automjeteve u rritën për afërsisht me 10-20%, nuk pati një reagim nga qytetarët. Për këtë eksperti tha se në raste të tilla, i takon më tepër Autoritetit Mbikëqyrjes Financiar për të vlerësuar rritjen që kanë bërë kompanitë private të sigurimeve për automjetet.
“Kompanitë si private që janë e vendosën. Lobimi i tyre është i fuqishëm që nuk para pyet për zërin e qytetarëve dhe e realizuan. Por, për mbrojtjen e konsumatorin e ka për detyrim AMF-ja (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare), sepse ndiqet në rrugë instutcionale.”
Rritja e kësaj tarife mund të konsiderohet si një masë për të parandaluar aksidentet, por eksperti e hodhi poshtë këtë tezë. Sipas tij arsyeja kryesore e numrit të lartë të aksidenteve është konsumimi i lëndëve narkotike të forta si kokaina apo heroina, gjë që nuk ka lidhje me tarifat e sigurimit të automjeteve.
“Nuk mendoj sepse në vendin tonë nga viti 2013 e në vazhdim numri i përdoruesve të lëndëve psikotrope, të forta është rritur në vlera shumë të mëdha.”
I pyetur nga drejtuesi i programit, Aldo, eksperti Artur Sulçe tha mes batutash që ekziston një “truk” për “t’i bërë bisht” kësaj tarife.
“Qarkulloni me kujdes dhe shmangni gjobat”, tha ai./ S,M