Modelja italiane, Vittoria Ceretti, 26 vjeçe, është shprehur për herë të parë për lidhjen e saj me aktorin e njohur Leonardo DiCaprio, 50 vjeç, gjatë një interviste për “Vogue France”, ku shfaqet topless në një set fotografik elegant.
Ajo ka zbuluar se ata u takuan për herë të parë në Milano, por preferon të mos japë shumë detaje për fillimin e romancës së tyre, e cila ka nisur në verën e vitit 2023. Ceretti, e cila është një fanse e filmit “Titanic”, ka theksuar se lidhja e saj me DiCaprion është e bazuar në besim dhe se nuk ka vend për xhelozi.
Gjithashtu, modelja ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me nënën e aktorit, Irmelin Indenbirken, me të cilën ka ndarë kujtime nga fëmijëria e saj.
Ajo ka shtuar se, ndryshe nga shumë vajza, nuk luante me Barbie, por kalonte orë të tëra duke luajtur me makinat e vëllait të saj dhe duke shkruar ditarë.
Megjithatë, lidhja e tyre ka qenë subjekt i spekulimeve, sidomos pas paraqitjes së DiCaprios në ngjarje me këngëtaren Teyana Taylor, përfshirë një festë para ‘Oscars’. Pavarësisht thashethemeve, aktori dhe Ceretti janë parë sërish bashkë në Los Angeles, duke konfirmuar se marrëdhënia e tyre vazhdon të jetë e fortë./k.k