Sot në Tiranë po prezantohet Programi për Përshpejtimin e Pranimit të Pagesave Elektronike, një hap konkret për të reduktuar informalitetin dhe për të rritur ritmin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Ky program zhvillohet në partneritet me Mastercard Europe dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare.
I pranishëm në këtë prezantim ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij, Rama tha se kjo është edhe një fushatë ndërgjegjësimi për tregtarët dhe qytetarët dhe një shërbim transformimi që do të sjellë më shumë mundësi, më pak kosto dhe një ekonomi më të fortë për të gjithë.
Rama theksoi se zëvendësimi i shërbimeve të sportelit fizik me atë online, i ka kursyer vendit 620 milionë euro.
Rama tha se deri më tani, rreth 95% e shërbimeve shtetërore ofrohen online.
“E gjitha ndodh në një moment shumë të rëndësishëm sa i përket pagesave elektronike.
Sepse është koha e revolucionit digjital dhe thellohet shumë më tepër edhe në drejtim të thjeshtimit të sistemit të pagesave.
Sot kemi pagesat online dhe mbi 95% të shërbimeve shtetërore kryhen online.
Ekzistojnë edhe disa shërbime të tjera që ende nuk po kryhen, si gjurmimi nga shenjat e gishtave, apo mjetet e identitetit, pra janë vetëm fare pak lloje shërbimesh.
Janë bërë kalimet e shërbimeve nga sporteleve fizike, në shërbime online.
Me këtë revolucion, ka ndikime në ekonominë e shqiptarëve dhe 620 milion euro të shërbimeve janë kursyer”,-tha Rama.
Me shaka, Rama shtoi se vetëm martesat nuk po bëhen online.
“Vetëm martesën nuk kemi bërë online, se duhen dëshmitarë”,-tha Rama./ S,M