Kandidati për deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Ardit Bido, ka reaguar me një deklaratë të fortë ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas akuzave të këtij të fundit në lidhje me një dokument të përmendur publikisht mbi familjen Koleka.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bido i ka cilësuar pretendimet e Berishës si pjesë e një “aleance të antishqiptarisë madhështore”, që sipas tij është aktivizuar së fundmi për të hedhur hije mbi figurën dhe punën e tij.
“Fakti është i thjeshtë: ai dokument është mikrofilmuar që në vitin 2001, në kohën kur aleanca e antishqiptarisë madhështore drejtonte qeverinë e vendit. Pra, dokumenti ekzistonte dhe gjendej në Arkiv shumë kohë përpara se unë të merrja këtë detyrë,” shprehet Bido, duke e quajtur akuzën një mashtrim të radhës.
Duke e vendosur këtë sulm në të njëjtën linjë me shfaqjen e fundit të Fredi Belerit në Tiranë, kandidati i mazhorancës nënvizon se këto veprime janë përpjekje për të krijuar tymnaja politike, në mungesë të një përballjeje reale me të vërtetën.
“Kur ke këshilltar Fredi Belerin në aleancën e antishqiptarisë madhështore, nuk është çudi që bën blofe të tilla,” shkruan Bido, me një ton ironik, por të drejtpërdrejtë.
Në përmbyllje, ai i drejtohet Berishës personalisht: “Por ty doktor, që ke qenë gjatë gjithë jetës i kujdesshëm për imazhin tënd, nuk të shkon! Mos dil më bllof!”