Ramazani është një nga muajt më të rëndësishëm për të gjithë besimtarët myslimanë.
Ai është muaji i agjërimit, që do të thotë shmangia e ushqimit dhe lëngjeve, marrëdhënieve seksuale, fjalëve dhe sjelljeve të këqija dhe gjërave të tjera të ndaluara në Islam.
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe zgjat nga agimi deri në perëndimin e diellit.
Tashmë kanë mbetur 10 ditët e fundit të Ramazanit. Për të folur për rëndësinë e këtyre ditëve në emisionin e dedikuar muajit të Ramazanit “Kjo është koha” në Rtv Ora ishte i ftuar teologu Sokol Kondakçiu.
“Ajo çka e bën më të rëndësishme 10 ditëshin e fundit të ramazanit është se në 10 ditëshin e fundit ka zbritur kurani në tokë. Merr rëndësi të madhë pasi gjatë kësaj kohe është dhe nata e kadrit. Nata e kadrit i madhi zot ka thënë që është më e mirë se 1mijë muaj”.
Sipas Kondakçiut, Ramazani është tre nivele ecje dhe uri, është një agjërim mendor dhe kemi dhe agjërimin e zemrës ose të shpirtit.
“Me agjërimin e 30 ditëve dhe me angazhimin me rite fetare, punë sociale, bamirësi, duke ndihmuar, duke kërkuar falje, duke kërkuar balancim mes shpirtërores dhe trupores i japim formë shpirtit”, shprehet ai.
Në fund të Ramazanit vjen fitër Bajrami, apo festa e prishjes së agjërimit./ S,M