Politikëbërësit po garojnë për të kapur hapin e rritjes së tyre të shpejtë
Prapa harqeve të mëdhenj të Grand Bazaar të Stambollit, përtej zhurmës dhe rrëmujës, bëhet një tregti më e qetë. Në korridoret me ndriçim të dobët, burrat dalin nga dhomat e pasme, duke shtrënguar në duar tufa dollarësh.
Një tregtar thotë se merret me këmbime milionash çdo ditë, kryesisht të shkëmbyera me monedha “stablecoins”, që janë kriptomonedha të lidhura me asete të tjera, zakonisht me monedhën e gjelbër, Dollarin.
Stablecoins zakonisht mbështeten nga paratë e gatshme ose bonot qeveritare. Ndryshe nga kriptomonedha bitcoin, çmimi i tyre luhatet shumë pak: monedha më e njohur e këtij lloji, e quajtur Tether (emetuesi i të cilit mban të njëjtin emër), këmbehet me një dollar dhe mund të ndryshojë vlerën me vetëm disa të qindtat e një centi.
Ato përdoren më së shumti për të tregtuar kriptomonedha të tjera, duke siguruar një urë të qëndrueshme midis aseteve dixhitale më të lëkundura.
Sipas kompanisë së të dhënave Chainalysis, tregtia, pagesat dhe transfertat në monedhat stablecoins, arritën në 27.6 trilionë dollarë vitin e kaluar, ose sa dy të pestat e të gjithë vlerës në rrjetet publike blockchain.
Pjesërisht, kjo pasqyron një rritje më të gjerë të çmimeve të kriptomonedhave, por stablecoins po përdoren gjithnjë e më shumë nga njerëz të ndryshëm.
Emigrantët dërgojnë remitanca me to, duke braktisur sistemin bankar me tarifa të larta dhe vonesa.
Tregtarët turq thonë se shitësit në Grand Bazaar i paguajnë furnizuesit me këto monedha pasi ato janë mundësia më e shpejtë. Në vendet ku inflacioni po gërryen kursimet dhe dollarët janë të paktë, ato po mbeten si një rezervë e vlefshme.
Një sondazh nga firma startup Castle Island Ventures për monedhat stablecoins në Turqi, ka zbuluar se gati gjysma i përdorin monedhat për këtë qëllim.
Firma Bernstein vëren se ndërsa monedhat stablecoins po bëhen më tërheqëse për botën, kapitalizimi i tyre i tregut është shkëputur nga ai i kriptomonedhave të tjera (shih grafikun).
Amerika, ku monedhat stablecoins janë me rëndësi jetike për tregtimin e kriptomonedhave, mbetet tregu më i madh në botë i këtyre monedhave, sipas firmës analitike Chainalysis.
Por në raport me madhësinë ekonomike, Turqia tani është shtëpia e transaksioneve të stablecoin: nga fillimi i vitit deri në mars 2024, blerjet arritën vlerën sa 4.3% e PBB-së.
Këtë vit deri në qershor, në Etiopi ndodhi rritja më e shpejtë e transaksioneve prej më pak se 10,000 dollarësh, shumica e të cilave ndoshta ishin remitanca dhe pagesa të përditshme.
Monedha stablecoin Tether, përbën 70% të kësaj veprimtarie. Kompania krijuese Tether, fiton para duke investuar rezervat e saj. Ajo thotë se zotëron 113 miliardë dollarë, ose 72% të aseteve në formë thesari me kohëzgjatje të shkurtër, ku rritja e yield-eve është bërë shumë fitimprurëse.
Por mbizotërimi i kësaj monedhe, sjell rreziqe. Humbja e besimit në monedhën Tether mund të trondisë tregun, siç ndodhi me rënien e Terra-Luna-s, një sistemi algoritmik stablecoin, në vitin 2022.
Nëse Tether do të detyrohej të shiste thesaret dhe zotërimet e tjera, kjo mund të kishte pasoja të mëdha për tregjet kryesore financiare.
Tether këmbëngul se modeli i saj është i sigurt. Ajo deri tani ka treguar elasticitet: gjatë kolapsit të sistemit Terra-Luna, firma kreu shlyerje me vlerë mbi 10 miliardë dollarë në dy javë, duke ruajtur lidhjen e saj me Dollarin. Megjithatë, vështirësitë e ardhshme nuk mund të përjashtohen, thotë Rajeev Bamra nga agjencia Moody’s.
Ndryshe nga Circle, rivali i saj kryesor, Tether nuk u nënshtrohet shqyrtimeve të pavarura, duke e bërë të vështirë të dihet nëse asetet e saj (të cilat përveç Thesarit përfshijnë gjëra më të rrezikshme, si bitcoin), përputhen me detyrimet.
Tether gjithashtu nuk e bën të ditur se ku mbahen rezervat e saj. S&P, një tjetër agjenci vlerësimi, e ka caktuar rrezikun e Tether-it në nivelin katër nga pesë gjithsej (për sa i përket aftësisë së monedhës për të ruajtur lidhjen me Dollarin).
Shumë qeveri po bëhen më të rrepta. Në janar, sistemi i shkëmbimeve europiane e ndaloi monedhën Tether, për shkak të mospërputhjes me ligjet e reja të BE-së.
Paolo Ardoino, drejtuesi i kompanisë Tether, i ka qortuar rregullat, veçanërisht një kërkesë që monedhat stablecoins duhet të mbajnë 60% të rezervave në depozita bankare. “Nëse një bankë dështon, monedha stablecoin dështon bashkë me të”, argumenton ai. Megjithatë, shton se shënjestra e tij e vërtetë janë tregjet në zhvillim.
Por edhe qeveritë e këtyre vendeve po bëhen të shqetësuara. Tether është e regjistruar në shtetin El Salvador, presidenti i të cilit, Nayib Bukele dëshiron ta bëjë vendin një qendër për asetet dixhitale.
Para kësaj, monedha ishte regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë. Asnjë nga këto vende nuk dallohet për ligjet e ashpra rregullatore.
Në vitin 2023, një studim nga kompania e inteligjencës TRM Labs, zbuloi se një pjesë domethënëse e transaksioneve në monedhën Tether ishte e përfshirë nëpër aktivitete kriminale. Irani dhe Rusia e kanë përdorur monedhën për t’iu shmangur sanksioneve perëndimore.
Një raport i OKB-së e quajti atë “zgjedhjen e parapëlqyer” për pastruesit e parave të Azisë Juglindore. Tether thotë se punon ngushtë me autoritetet për zbatimin e ligjit, duke ngrirë portofolat e lidhura me veprimtaritë e paligjshme dhe duke përmbushur kërkesat zyrtare.
Më 25 shkurt, Turqia filloi të kërkojë që shkëmbimet e kriptomonedhave të licencohen. Gjithashtu kërkoi zbatimin e kontrollit kundër pastrimit të parave dhe verifikimin e identitetit të përdoruesve.
Në përgjigje të këtyre rregullave të reja, platforma si Binance dhe KuCoin kanë zvogëluar praninë e tyre në vend. Në Nigeri, vëllimet e monedhave stablecoins ranë me 38% nga fillimi i vitit deri në korrik, pasi autoritetet hoqën licencat e mbi 4,000 shkëmbimeve të monedhave kripto, duke i fajësuar ato për rënien e monedhës vendase naira.
Por Amerika mund të lëvizë në drejtimin e kundërt. Në janar, Donald Trump nënshkroi një urdhër që i udhëzon zyrtarët të hartojnë një kuadër rregullator për asetet dixhitale brenda gjashtë muajve. Ai deklaroi se Amerika do të bëhej “kryeqyteti i kriptove të planetit”.
Urdhri mbështeti “monedhat stablecoins të ligjshme dhe të lidhura me Dollarin” për të forcuar mbizotërimin e monedhës së gjelbër ndaj monedhave të tjera.
Mbikëqyrja nuk është domosdoshmërisht e keqe për monedhat stablecoins. Stripe, një kompani pagesash, ka blerë firmën startup Bridge, që merret me infrastrukturën e monedhave stablecoin.
Visa ka ndërtuar një platformë për të ndihmuar huadhënësit të lëshojnë monedha të tilla. BBVA, banka e dytë më e madhe në Spanjë, do të jetë ndër të parat që do ta përdorë atë, ndoshta për transferime parash.
Monedhat stablecoins kanë treguar vlerën e tyre nëpër dhomat e pasme të Grand Bazaar. Tani, detyra e tyre është të bëjnë të njëjtën gjë në zyrat e rregullatorëve dhe dhomat e Këshillit të Uashingtonit dhe Wall Street./K.K