Gjykata e Tiranës do të jetë e vetmja gjykatë në Republikën e Shqipërisë që do të shqyrtojë kërkesat e shtetasve që jetojnë jashtë vendit dhe që shprehin interes për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili gjithashtu përcaktoi se Gjykata do të jetë e detyruar që të kthejë përgjigje brenda 48 orësh.
Në këtë mënyrë të gjithë ata shtetas, që jetojnë jashtë vendit, që nuk e gjejnë emrin në listën e zgjedhësve ose i është mohuar e drejta e votës, kanë të drejtën që përmes adresës diaspora@gjykata.gov.al, të kërkojnë regjistrimin dhe të marrin të drejtën e votës.
Gjithçka do të bëhet në mënyrë elektronike, çka do të thotë se shqyrtimi i kërkesës do të bëhet në mungesë të paditësit.
Për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të ushtrojnë të drejtën e votës përmes postës. KQZ regjistroi mbi 220 mijë votues, ndërkohë që të tjerë që mund të mos e gjejnë emrin në listë apo i është mohuar e drejta e regjistrimit për shkaqe teknike apo mosplotësim të dokumenteve në formatin e duhur, mund t’i drejtohen Gjykatës. / S,M