Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2024, duke evidentuar rritje të ndjeshme në hetimet pasurore dhe financiare, përgjimet dhe vendimet gjyqësore.
Sipas SPAK në vitin 2024, 163 procedime penale janë zhvilluar me metoda përgjimi, me 3096 pajisje të interceptuara, një ulje prej 7.1% krahasuar me 2023.
Po ashtu 2046 vendime gjykate të ekzekutuara, një rritje prej 22.6% nga 1669 vendime në 2023.
Sipas raportit të SPAK 65.5 milion euro asete janë sekuestruar dhe konfiskuar, një rritje prej 59.7% krahasuar me 2023. Prej tyre 28.7 milion euro janë pasuri të sekuestruara (43.8% e totalit) dhe 36.8 milion euro pasuri të konfiskuara (56.2% e totalit).
SPAK thekson se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet prioritet, me fokus të shtuar në ndjekjen e aseteve të paligjshme dhe fuqizimin e veprimeve hetimore.
“Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 163 procedime penale ku janë interceptuar 3096 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit ne përgjim). Krahasuar me vitin 2023, numri i pajisjeve fundore të interceptuara është 7,1% më i ulët (3335 pajisje fundore të interceptuara gjatë vitit 2023).
Për vitin 2024 janë ekzekutuar 2046 vendime gjykate, e cila shënon një rritje në masën rreth 22,6% (në krahasim me 1669 vendime gjykate për vitin 2023).
Hetimet pasurore dhe financiare janë konsideruar prioritet i Prokurorisë së Posaçme, qasje e cila është reflektuar edhe në rritjen e vlerës së aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara gjatë vitit 2024, në vlerën prej rreth 65,5 milion euro. Prej tyre, vlera e pasurive të sekuestruara është në shumën rreth 28,7 milion euro, ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara kjo vlerë arrin në shumën rreth 36,8 milion euro. Kështu vëllimi i aseteve të sekuestruara zë rreth 43,8% të vlerës totale, ndërsa pasuritë e konfiskuara zënë rreth 56,2% të vlerës totale. Krahasuar me vitin 2023, vihet re një rritje në masën rreth 59,7% e vlerës totale të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara (rreth 65,5 milion euro në vitin 2024, kundrejt rreth 41 milion euro në vitin 2023)”, thuhet në raport./e.t