Pas 5 muajsh zvarritje të seancave paraprake për aferën korruptive ‘Partizani’, GJKKO më në fund pritet të vendosë nesër nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malletezi dhe 3 të tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina.
Tashmë që të pandehurit kanë përfunduar me mbrojtjen, në seancën e nesërme paraprake është radha e prokurorëve që t’i përgjigjen pretendimeve të avokatëve. Më pas, gjyqtarja e seancës paraprake Flojera Davidhi pritet të vendosë nesër përfundimisht për kalimin e dosjes për gjykim, që do të ishte përballja e vërtetë e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë.
Seanca për aferën Partizani është shtyrë prej 5 muajsh, një zvarritje e habitshme dhe pa justifikim. Duket qartë një tendencë nga palët për ta zvarritur një proces që duket sikur po e çojnë në “kalendat greke”. Qëllimi siç duket është që të paktën gjyqi i themelit të mos nisë para zgjedhjeve të 11 majit. Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare.
Sali Berisha u mor i pandehur me akuzën e korrupsionit pasiv më 11 shtator 2024. Një muaj më pas më 15 tetor, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dërguan në gjykatë 333 fashikujt hetimorë, ndërsa të nesërmen më 16 tetor u caktua me short gjyqtarja e seancës paraprake Flojera Davidhi, e cila vetëm pak javë pasi e mori në duar, vendosi t’i heqë masën e sigurisë ish kryeministrit Berisha, duke e çliruar nga “arresti shtëpiak” ku qëndroi për 11 muaj. Vendim i cili u rrëzua në Apel, ku gjyqtari Engert Pëllumbi i riktheu masë sigurie ish kryeministrit, këtë herë detyrimin për tu paraqitur dy herë në muaj në Prokurorinë e Posaçme.
Berisha dhe Malltezi vijojnë të jenë në masë sigurie, i pari “detyrim paraqitje” dhe i dyti “arrest shtëpie”. Ish kryeministri është i pandehur për korrupsion pasiv dhe akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin duke ua dhënë kompleksin Partizani ish-pronarëve, ku përfituesi kryesor është dhëndri i tij, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Në pronat e ish-klubit u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh, duke u siguruar një fitim miliona euro nga ky biznes që nisi me paligjshmëri.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Paralelisht SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit. Ndërkohë një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij si me rastin marrjes së truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri i tij./ S,M