Kreu i PD-së përsëriti programin dhe premtimet e zakonshme, që nuk arriti t’i mbante gjatë qeverisjes së tij 2005-2013, si ulja e çmimit të energjisë dhe blerja e saj me 6 lekë, apo deri te falja e gjobave të energjisë dhe ujit dhe rritja e pensioneve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme (5 prill) takime me qytetarët, dhe tregtarët e bizneseve të vogla tek ish-Uzina ‘Dinamo’, Njësia nr. 8.
Ai përsëriti programin dhe premtimet e zakonshme, që nuk arriti t’i mbante gjatë qeverisjes së tij 2005-2013, si ulja e çmimit të energjisë dhe blerja e saj me 6 lekë, apo deri te falja e gjobave të energjisë dhe ujit dhe rritja e pensioneve.
“Gjobat do të falen. Gjobat e vendosura me arbitraritet nga këta plaçkitës do të falen. Rama i la pensionistët të fundit në rajon. Kur erdhi ishin pensionet më të lartat në rajon, sot janë 3 herë më të ulëta se sa në Mal të Zi, Maqedoni e Serbi. Na ndaluan 12 vite, asgjë dhe i merrnin paratë.
130 mln euro djegësi i Tiranës, ku është djegësi? 110 mln euro Beketi se e kritikonte Ramën në televizor”, u shpreh Berisha.
Kreu i selisë blu përsëriti edhe një tjetër premtim që nuk e mbajti dot në qeverisjen e tij të kaluar, për legalizimin e pronave. Madje pothuajse në çdo takim që ai zhvillon me banorët, firmos kontrata premtimesh legalizimi me siglën e PD-së, sikur të ishte kryeministër.
“Nuk bëjmë urbanizim pa legalizim. Prandaj merr plotësoni legalizimet, t’i paguajmë dhe pasi morën paratë nuk bënë asnjë kundërshtim. Mbetën të kënaqur”, tha ai.
Ndërsa vizitoi edhe dyqanet e tregtarëve, Beriha pretendoi se dikur në qeverisjen e tij dyqanet ishin plotë përditë si për festa, kurse tani mbushen vetëm në ditë festash.
“Isha pak më herët tek dyqani i mishit. Ndodh tha të kemi tregun e përparshëm vetëm në ditë festash. Më përpara e kishim çdo ditë, si në ditë festash. Prapë do e kthejmë, të garantoj. Se do të bëjmë gjithçka që ju të keni një barrë fiskale më të ulët. Do ulim çmimin e energjisë, do të bëhet 6 lek. Do përgjysmojmë çmimin e ujit. Do i vendosim kufi bashkisë, nuk do mund të vendosin taksa mbi biznesin e vogël më shumë se 1% të xhiros. Sot i vendosin 8-10% të xhiros”, u shpreh kreu i PD-së./k.k