Parlamenti Europian mirëpret hapat e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, jo vetëm me përmbylljen me sukses të procesit screening, por edhe me hapjen e kapitujve të negociatave në vitin 2024. Raporti vjetor mbi implementimin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, hartuar nga eurodeputeti David McCallister dhe miratuar në seancë plenare nga Parlamenti Europian sheh pozitivisht ambicien e Shqipërisë për të mbyllur shpejt negociatat, ndonëse tërheq vëmendjen në mangësitë e evidentuara sa i përket shtetit të së drejtës.
“Parlamenti Europian nënvizon nevojën për të përforcuar më tej reformat me qëllim adresimin e mangësive që vijojnë sa i përket kapitujve themelorë, veçanërisht shtetit të së drejtës, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar; paralajmëron kundër minimit të punës së institucioneve të pavarura si SPAK”.
Në pak rreshtat dedikuar Shqipërisë, vëmendje e posaçme i kushtohet edhe jetës politike në vend si dhe rolit të opozitës në të.
“Parlamenti Europian nënvizon rëndësinë e një pluralizmi politik të qëndrueshëm dhe një opozite konkurruese dhe bën thirrje për dialog dhe angazhim konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës për të kapërcyer polarizimin e fortë politik në vend dhe për të nxitur procese demokratike gjithëpërfshirëse që respektojnë të gjitha palët, duke përfshirë pakicat greke, rome dhe egjiptiane në vend”.
Sa i përket politikës së jashtme dhe sigurisë, Shqipëria përgëzohet për qëndrimin e saj të qëndrueshëm plotësisht të linjëzuar me Bashkimin Europian./E.T