Policia e Shtetit iu ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes dhe të përdorin goma dimërore e zinxhirë për shkak të reshjeve të dëborës që kanë përfshirë Dibrën, Kukësin dhe Shkodrën. Policia apelon gjithashtu që të shmangen lëvizjet e panevojshme në zonat me vështirësi qarkullimi.
“Drejtuesit e automjeteve këshillohen të ulin shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera. Është e rëndësishme të respektohet sinjalistika rrugore, të ndiqen udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të shmangen lëvizjet e panevojshme në zonat me vështirësi qarkullimi, kryesisht në zonat malore. Në rast të udhëtimeve në zonat e prekura nga reshjet e dëborës, automjetet duhet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë.”, njofton policia.
Sipas policisë, borëpastrueset dhe fadromat vijojnë intensivisht punën për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës. Në rast nevojë, mund të kontaktoni policinë.
“Në rast nevoje, telefononi në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do t’ju vijnë menjëherë në ndihmë”, thuhet në njoftimin e policisë./E.T