Edhe pse zakonisht minjtë nuk gëzojnë ndonjë reputacion të mirë, Ronin, një mi afrikan i përmasave të mëdha, po ndryshon tërësisht perceptimin që kemi për këto kafshë të vogla. I trajnuar nga organizata belge APOPO, Ronin ka thyer një rekord botëror duke zbuluar më shumë mina tokësore se çdo mi tjetër në historinë e dokumentuar.
Sipas Librit të Rekordeve Guinness, në periudhën gusht 2021 – shkurt 2025, ai ka arritur të zbulojë 109 mina tokësore dhe 15 mjete të tjera të rrezikshme, duke shpëtuar kështu jetë të panumërta në zonat e minuara të Kamboxhias.
“Ronin është prova që edhe kafshët më të vogla mund të kenë ndikim të madh. Ai është i jashtëzakonshëm në gjithçka bën,” – shprehet me krenari trajneri i tij kryesor, Phanny.
Në vende që kanë kaluar konflikte, si Kamboxhia, minat e mbetura nën tokë përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për civilët, veçanërisht për fëmijët. Statistikat tregojnë se që prej vitit 1979, më shumë se 65 mijë persona janë vrarë apo plagosur nga mina në këtë vend.
Këta minj të trajnuar janë mjaft efikasë: të lehtë në peshë, të shpejtë dhe të mençur, ata janë në gjendje të nuhasin substancat eksplozive pa i aktivizuar ato. Një ekip me më shumë se 100 minj si Ronin mund të pastrojë një zonë sa një fushë tenisi për vetëm 30 minuta, ndërsa një njeriu do t’i duheshin deri në katër ditë për të bërë të njëjtën punë.
Ronin, i lindur në Tanzani, është mbi 60 cm i gjatë dhe peshon rreth 1.2 kg – shumë më i madh se një mi i zakonshëm. Ai vjen pas suksesit të Magawa, një tjetër mi legjendar që kishte zbuluar 71 mina dhe 38 mjete të tjera përpara se të ndërronte jetë në vitin 2022./k.k