Kryeministri Edi Rama është nderuar me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael, të cilën ia dorëzoi Kreu i Shtetit izraelit Isaac Herzog.
Ky çmim akordohet për personalitetet më të rëndësishëm botërorë në politikë dhe në këtë rast vjen në formë nderimi për shembullin që shqiptarët i lanë botës duke mos dorëzuar asnjë hebre, për tolerancën fetare dhe etnike.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi këtë si një nder të jashtëzakonshëm, që sipas tij nuk e meriton si individ, por që u takon të gjithë shqiptarëve, të cilët ndihmuan hebrenjtë në kohë të vështira.
Ai theksoi se Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez. Megjithatë, Rama evidentoi se me Hamasin nuk mund të ketë zgjidhje, duke e cilësuar organizatën si nazistët e shekullit të ri.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tim e në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty dhe ndryshe nga ç’janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri. Historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis”, u shpreh Rama.
Kryeministri e përfundoi fjalën me urime për paqe në rajon dhe falënderime për nderimin e marrë në emër të popullit shqiptar.
“Duke ju uruar çdo të mirë juve, popullit të Izraelit, gjithë rajonit, e duke pritur me padurim të shoh paqen midis hebrenjve dhe arabëve, mbetem vërtetë mirënjohës përgjithmonë”, theksoi ai./ SM