Çdo ditë dëgjojmë se kriminelët janë një hap përpara. Kjo mund të ndryshojë vetëm nëse u japim agjencive tona të zbatimit të ligjit mjetet për të vepruar.
Bashkimi Europian do të aplikojë një strategji të re për luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, krimit kibernetik, terrorizmit, në funksion të asaj që konsiderohet si rritja e sigurisë brenda bllokut. Por kjo strategji e re që synon forcimin e 3 strukturave: Europol, Eurojust dhe Frontex.
Pavarësisht qëllimit të Komisionit Europian për rritjen e sigurisë brenda bllokut, pra hapësirës së Bashkimit Europian, strategjia e re pritet të ketë impakt në vendet kandidate për anëtarësim në Union, pra edhe Shqipërisë.
Nëse i referohemi të dhënave zyrtare, 3 agjensitë ligjzbatuese europiane që fuqizohen nga kjo strategji e re janë partnerët kryesorë të SPAK, Prokurorisë Speciale në Shqipëri që ka si detyrë kryesore luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, apo veprave të lidhura me terrorizmin. Janë me dhjetra operacione që SPAK ka finalizuar me Europol dhe Eurojust, duke çuar në arrestimin e anëtarëve të organizatave kriminale dhe sekuestron e dhjetra miliona euro pasuri të krimit. Nëse i referohemi raporteve zyrtare, pothuajse të gjitha organizatat e trafikut ndërkombëtar të drogës janë goditur nga SPAK në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust. Këto operacione janë drejtuar nga skuadrat e përbashkëta, ku pjesë kanë qenë edhe prokurorë të SPAK, ndërsa koordinimet mes vendeve pjesëmarrëse janë kryer pikërisht nga Europol dhe Eurojust. Nisur nga strategjia e re e Komisionit Europian, të dy agjensitë ligjzbatuese, përfshirë edhe Frontex, që kryesisht asiston dhe ndihmon në rritjen e sigurisë kufitare, do të kenë më shumë mjete, burime njerëzore, fonde, në dispozicion për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Kjo do të thotë se çdo fuqizim i partnerëve të SPAK i shërben edhe këtij të fundit, që duket se direkt dhe indirekt po merr suportin maksimal nga BE dhe SHBA,
Po çfarë synon strategjia e re e Komisionit Europian?
Për të përmirësuar luftën kundër krimit të organizuar, Komisioni Evropian ka propozuar forcimin e rolit të Europolit, agjencisë së koordinimit policor të BE-së, duke dyfishuar stafin dhe duke zgjeruar kompetencat e tij.
Synimi është transformimi i Europolit në një agjenci policore plotësisht funksionale, e aftë për të luftuar në mënyrë më efektive kërcënimet ndërkufitare, nga krimi i organizuar te krimi kibernetik dhe terrorizmi.
“Çdo ditë dëgjojmë se kriminelët janë një hap përpara. Kjo mund të ndryshojë vetëm nëse u japim agjencive tona të zbatimit të ligjit mjetet për të vepruar,” tha komisioneri evropian Magnus Brunner, duke paraqitur ProtectEu, një strategji evropiane e sigurisë së brendshme që synon të “mbështesë” Shtetet Anëtare dhe të forcojë aftësinë e BE-së për të “siguruar sigurinë e qytetarëve të saj”.
Me mbi 1,400 punonjës, Europol ka kontribuar në operacione të shumta të suksesshme, duke çmontuar rrjetet e trafikantëve të qenieve njerëzore dhe hakerëve. Megjithatë, Brukseli beson se forcimi i mëtejshëm është i nevojshëm për të garantuar siguri më të madhe brenda Bashkimit.
“Ne do të propozojmë ta bëjmë Europolin një forcë shtytëse për sigurinë evropiane duke dyfishuar stafin e tij, duke forcuar mandatin dhe duke përmirësuar efektivitetin e tij”, tha Brunner.
Strategjia e Komisionit synon gjithashtu të përmirësojë aksesin e policisë në të dhëna, gjë që është thelbësore për hetimet në epokën dixhitale. “Agjencitë e zbatimit të ligjit nuk kanë ende mjetet që u nevojiten për të adresuar sfidat e dixhitalizimit,” theksoi Henna Virkkunen, Zëvendës Presidente për Sigurinë. Megjithatë, Brukseli premton të sigurojë një ekuilibër midis mbrojtjes së privatësisë dhe aksesit legjitim në të dhëna nga autoritetet.
Më shumë fuqi edhe për Frontex
Përveç forcimit të Europolit, plani i Komisionit përfshin forcimin e agjencisë së kontrollit kufitar Frontex dhe reformimin e Eurojust-it, organit të bashkëpunimit gjyqësor të BE-së. Gjithashtu do të miratohen masa të reja për të mbrojtur infrastrukturën kritike, si fizike ashtu edhe dixhitale, dhe do të zhvillohet një strategji për të luftuar në mënyrë më efektive trafikimin e armëve të zjarrit dhe pastrimin e parave.
Propozimi i Komisionit, i cili do të duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Shtetet Anëtare, përfshin gjithashtu një plan veprimi për mbrojtjen e të miturve dhe luftimin e krimit pedofil, si dhe një strategji për të luftuar trafikun e armëve dhe pastrimin e parave. Synimi, sipas Brukselit, është të forcojë sigurinë e brendshme të BE-së përballë kërcënimeve gjithnjë e më komplekse dhe të globalizuara.
Strategjia ProtectEu
Strategjia ProtectEu, sipas Komisionit, synon të promovojë një “ndryshim kulturor” në sigurinë e brendshme, me një qasje që përfshin “të gjithë shoqërinë”, pra “qytetarët, bizneset, studiuesit dhe shoqërinë civile”. Aspektet e sigurisë do të “integrohen” në zhvillimin e nismave të reja dhe një kuadër i ri i qeverisjes së sigurisë së brendshme evropiane do të mbështesë zbatimin e strategjisë.
Presidentja Ursula von der Leyen thekson se “siguria është një nga parakushtet kryesore për shoqëritë e hapura dhe dinamike dhe një ekonomi të lulëzuar. Kjo është arsyeja pse ne po ndërmarrim një iniciativë të madhe për të trajtuar më mirë kërcënimet e sigurisë si terrorizmi, krimi i organizuar, krimi kibernetik në rritje dhe sulmet kundër infrastrukturës sonë kritike”.
“Ne do të forcojmë Europolin dhe do të ofrojmë zbatimin e ligjit për të luftuar krimin, por edhe mjetet kërkimore për qytetarët. gjithashtu kontribuojnë për siguri më të madhe për të gjithë”, shprehet ajo. / S.M