Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion.
Jehona Lushaku, anëtare e kryesisë së LDK-së thotë se është marrë vendimi për përgjigje ndaj ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje për takim, por që do të komunikohet më vonë.
Më parë nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se me Vetëvendosjen ekziston një hendek i madh, jo vetëm për shkak të dallimeve politike, por edhe për shkak të mënyrës se si Albin Kurti ka qeverisur vendin në katër vitet e fundit.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, nuk dha një përgjigje të prerë nëse do të pranonin një ftesë për takim në rast se ajo do të vinte nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ismaili tha se në këtë fazë i takon fillimisht partisë së parë që të provojë funksionalizimin e institucioneve të reja. Në rast se ajo dështon, atëherë, sipas tij, Bedri Hamza mund t’i sigurojë votat e nevojshme .
“Ne kemi një pozicion jashtëzakonisht të qartë dhe një besim të madh, me një kandidat si [Bedri Hamza] që arrin ta krijojë një shumicë, nëse ka një paaftësi të partisë së parë për ta formuar qeverinë,” deklaroi Ismaili.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.
Konjufca tha se Vetëvendosje ka pasur synim që në zgjedhjet e 9 shkurtit të fitonte 500 mijë vota, në mënyrë që të drejtojë e vetme qeverinë e ardhshme.
Konjufca tha se aktualisht ekzistojnë dy skenarë: i pari, votimi i një qeverie deri në zgjedhjen e presidentit të ri; dhe i dyti, votimi i një qeverie të re afatgjatë.
Mandati pesëvjeçar i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill të vitit të ardhshëm.
I pyetur për ftesën për takim që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka dërguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, Konjufca tha se kjo ftesë “është rasti më normal” në një shoqëri demokratike. Një ftesë e tillë nuk u është dërguar partive të tjera opozitare.
Këto komente Konjufca i bëri pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike, një javë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 15 prillin si datën për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Caktimi i seancës konstituive shënon hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 mars./k.k