Duke mbrojtur ligjshmërinë kontrollin dhe sekuestrimin e telefonave të gazetarit Elton Qyno, përfaqësuesit e SPAK artikuluan një deklaratë të paprecedentë gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese, e cila kompromenton jo vetëm gazetarët e kronikës, por edhe vetë SPAK-un.
Prokurori i SPAK Bledar Maksuti, i caktuar nga Altin Dumani për çështjen Qyno bashkë me Ols Dadon, u shpreh para trupit gjykues se gazetarët, para se të publikojnë një material me natyrë sekrete, marrin leje në SPAK nëse duhet ta botojnë ose jo materialin. Kjo tregon se çdo material sekret që publikohet në media merr miratimin e SPAK-ut. Ky pohim e vizaton SPAK-un si kryeredaktorin e të gjithë gazetarëve, si filtrin që jep ‘OK’ ose jo për publikimin e një materiali në media.
Deklarata tërhoqi vëmendjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kryetarja e Kushtetueses Holta Zaçaj e pyeti prokurorin e SPAK nëse kishte ndonjë bazë ligjore apo praktikë që gazetarët duhet të marrin leje në SPAK kur duan të publikojnë një informacion sekret për një çështje të SPAK-ut.
Maksuti u përgjigj se nuk kishte një bazë ligjore për të detyruar gazetarët, por këmbënguli se këta të fundit pyesin vetë SPAK-un për publikimin e informacioneve, nëse i informacioni që duan të publikojnë ‘i prish punë’ SPAK-ut.
Deklarata para anëtarëve të Kushtetueses duket se i jep fund edhe debatit për publikimin e përgjimeve dhe të dhënave të tjera hetimore në disa media pranë familjes Berisha. Çdo sekret hetimor që ekspozohet në media, sipas këtij pohimi, ka marrë miratimin e SPAK-ut.
Ky ‘rregull’ nuk është zbatuar nga gazetari Elton Qyno, i cili ishte në dy raste objekt reprezalje, e cila duket se reflekton inat dhe hakmarrje nga segmente të caktuara në SPAK. Ndoshta do të mjaftojë vetëm ky pretendim, pra që gazetarët duhet të marrin miratimin e SPAK kur raportojnë një informacion me natyrë sekrete, që Gjykata Kushtetuese të rrëzojë SPAK për rastin Qyno, duke vendosur një kufi edhe për raste tjera revanshi. SPAK ka ekskluzivitetin për veprat penale të parashikuara në nenin 75/a të KPP dhe të përfaqësojë akuzën në gjykatë, por nuk mund të bëjë shefin e gazetarëve, duke kontrolluar lajmet rreth veprimtarisë së SPAK.