TRANË- Kryeministri Edi Rama u shpreh se paga minimale në janar të 2026 do të rritet në 500 euro dhe puna për këtë ambicie do nisë në qershor.
Shefi i qeverisë ishte i pranishëm në ambientet e Tirana Industrial Park, së bashku me biznese dhe punonjës, ku folën mbi strategjinë dhe politikat e punësimit dhe aftësimit të forcës së punës.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se përmes reformave të marra, do synohet po ashtu rritja e pagës mesatare si në sektorin publik ashtu dhe atë privat.
“Do të rrisim pagën minimale në 500 euro në janar të 2026 duke vendosur që ta shpallim këtë gjë menjëherë në muajin qershor. Ndërkohë duam që të ecim më tutje me pagën mesatare dhe ta çojmë nga 830-1000 euro brenda mandatit të katërt në sektorin privat. Rritja e pagave në sektorin publik janë rritur dhe do të rritet edhe më shumë”. tha ai.
Më tej, Rama apeloi tek të rinjtë dhe u kërkoi atyre të ndjekin arsimin profesional. Ky shkollim theksoi Rama do t’u krijojë pamundësi më të mira dhe paga të larta të rinjve, pasi tregu i punës e kërkon një gjë të tillë.
“Domosdoshmëria e forcimit të theksit mbi arsimin profesional. Jemi të vetëdijshëm që rritja e kapaciteteve është domosdoshmëri për kompanitë, për ekonomitë, por edhe vajzat dhe djemtë e këtij vendit, të cilët mund të sigurojnë një punë më të paguar dhe mund t’i hapin perspektivë vetes për të hapur një biznese të vogël dhe pastaj për t’u bërë biznes i madh”, tha ai./k.k