Apeli i GJKKO ka pranuar pjesërisht ankimin për masat e sigurisë ndaj Shkëlzen Ruskës, shef i krimeve në Himarë, Ervis Alisinanajt, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës dhe ish-oficeri i policisë, Erdit Hazizajt.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 09.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 26 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.H., Sh.R., dhe E.A., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 17, datë 28.02.2025 dhe Vendimit nr. 28, datë 03.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
1.Miratimin e Vendimit nr. 17, datë 28.02.2025 dhe Vendimit nr. 28, datë 03.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me personin nën hetim Z. E.H.
2.Miratimin pjesërisht të Vendimit nr. 17, datë 28.02.2025 dhe Vendimit nr. 28, datë 03.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me personin nën hetim Z. Sh.R. sa i takon disponimit të caktimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale, për dyshimin e arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga paragrafi i parë i nenit 284 në lidhje me paragrafin e katërt të nenit 28 dhe me paragrafin e parë të nenit 334 të Kodit Penal dhe veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga paragrafi i dytë i nenit 333/a të Kodit Penal.
3.Rrëzimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit ndaj Z. Sh.R. sa i takon veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
4.Miratimin pjesërisht të Vendimit nr. 17, datë 28.02.2025 dhe Vendimit nr. 28, datë 03.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me personin nën hetim Z. E.A. sa i takon disponimit të caktimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale, për dyshimin e arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga paragrafi i parë i nenit 284 në lidhje me paragrafin e katërt të nenit 28 dhe me paragrafin e parë të nenit 334 të Kodit Penal dhe veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga paragrafi i dytë i nenit 333/a të Kodit Penal.
5.Rrëzimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit ndaj Z. E.A. sa i takon veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga paragrafi i tretë i nenit 245/1 të Kodit Penal, dhe për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
6.Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar./E.S