Shqipëria synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, por rruga drejt këtij objektivi mbetet e ndërlikuar. Kryeministri Edi Rama thekson se vetëm qeverisja e tij mund ta përmbushë këtë mision, ndërsa opozita e sheh këtë si propagandë politike. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, nënvizoi se integrimi kërkon angazhim të të gjitha palëve dhe nuk varet nga një forcë e vetme politike.
Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe një herë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një mision që vetëm Partia Socialiste mund ta përmbushë me sukses. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Kaja Kallas, ai argumentoi se Bashkimi Europian nuk ndërhyn në proceset zgjedhore të vendeve anëtare apo atyre në proces integrimi, por sipas tij, nuk ka një forcë tjetër politike që mund të çojë përpara këtë projekt. “BE nuk vendos kush fiton dhe kush humbet zgjedhjet në Shqipëri dhe as nuk lidh politikën e vet me kë zgjidhet në Shqipëri. Por ajo që them unë është që nuk ka një forcë tjetër që e kryen dot këtë mision. Këtë nuk e përcakton dot BE. Edhe nëse e mendojnë, nuk kanë për ta thënë ndonjëherë,” deklaroi Rama. Në këtë kontekst, kryeministri u ndal edhe te rotacioni politik, duke paralajmëruar se çdo ndryshim në drejtimin e qeverisë mund të ngadalësojë procesin e integrimit. Megjithatë, një deklaratë e tillë nuk gjeti një konfirmim të drejtpërdrejtë nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas u përgjigj me diplomaci kur u pyet për këtë çështje. “Në këtë rrugëtim duhet bashkëpunimi i të gjitha palëve. Për këtë duhet mbështetje. Në Shqipëri, të gjithë qytetarët e kanë dhënë mbështetjen për anëtarësimin në BE. Për këtë duhen reforma të vështira që kërkojnë mbështetjen e të gjithëve,” tha Kallas, duke nënvizuar se integrimi është një proces që kërkon angazhimin e të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në tërësi.
Shqipëria në BE në 2030
Një nga çështjet kryesore që u trajtua në konferencë ishte edhe afati kohor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Sipas Kaja Kallas, viti 2030 është një objektiv realist, por i arritshëm vetëm nëse vendi vazhdon të zbatojë reformat e kërkuara, me theks të veçantë tek sundimi i ligjit. “2030-a është një objektiv realist për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, në rast se të gjithë do të ndërmarrim hapat e duhur gjatë rrugës. Jo vetëm me reformat që duhen miratuar, por edhe të vihen në zbatim. Sundimi i ligjit është veçanërisht i rëndësishëm, pasi është një nga themelet e BE-së dhe begatisë së një vendi. Nëse ka besim te sistemi juaj ligjor, ka besim edhe për të investuar,” deklaroi Kallas. Nga ana e tij, kryeministri Rama konfirmoi se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat deri në vitin 2027, ndërsa ambicia është që brenda këtij viti të hapen të gjithë kapitujt e nevojshëm për anëtarësimin. “Plani ynë është të përmbyllim me sukses negociatat deri në 2027. Ambicia është që brenda vitit të hapim të gjithë kapitujt. Është pjesë e planit të dakordësuar dhe kur këto të bëhen realitet, nuk ka asnjë pengesë, përderisa BE-ja e ka hapur derën. Ne nuk na ndal askush. Në 11 maj do të marrim rezultatin për ta çuar para këtë proces,” u shpreh Rama, duke e lidhur ritmin e integrimit me ecurinë politike të vendit. Përveç temës së integrimit, në konferencën për shtyp u fol edhe për zgjerimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe BE-së në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Kaja Kallas njoftoi lancimin e dialogut të parë për sigurinë dhe mbrojtjen, duke bërë të ditur se BE-ja ka akorduar 13 milionë euro për përmirësimin e përgatitjes së Forcave të Armatosura të Shqipërisë. “Sot do të lançojmë dialogun e parë për siguri dhe mbrojtjen me Shqipërinë. Po thellojmë bashkëpunimin në sektorin e sigurisë. Do ta zgjerojmë në fusha të reja si për të luftuar kërcënime hibride dhe siguri kibernetike, të luftojmë terrorizmin dhe të menaxhojmë krizat. BE ka ofruar 13 milionë euro financime për të përmirësuar përgatitjen e FA në Shqipëri,” deklaroi ajo. Përfaqësuesja e lartë e BE-së përmendi gjithashtu marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, një projekt me vlerë 90 milionë euro, që pritet të forcojë lidhjet tregtare të Shqipërisë me BE-në dhe të shërbejë si një korridor strategjik për NATO-n sa i takon lëvizjes ushtarake. “Ky projekt do të sjellë më shumë vende pune e tregti dhe do ta lidhë Shqipërinë me fqinjët e BE-së. Gjithashtu, do të jetë një korridor i rëndësishëm për lëvizjen ushtarake midis vendeve anëtare të NATO-s,” sqaroi Kallas. Mesazhi kryesor i konferencës ishte se integrimi i Shqipërisë në BE nuk varet vetëm nga ritmi i reformave, por edhe nga një qasje gjithëpërfshirëse, ku të gjitha forcat politike duhet të kontribuojnë për të përmbushur standardet e kërkuara. Përfaqësuesja e BE-së nënvizoi se nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësimin, por vetëm përmes reformave të thella dhe të vështira. “Bashkëpunimi ynë shkon përtej sigurisë, pasi ka një agjendë të qartë për përfundimin e negociatave në dy vitet e ardhshme. Nuk ka rrugë të shkurtër për të arritur në BE përveç reformave, të cilat janë të vështira. Keni mbështetjen tonë të plotë për çeljen e kapitujve të tjerë dhe përmbushjen e standardeve, veçanërisht në sundimin e ligjit. E ardhmja e Shqipërisë është në BE,” deklaroi Kallas. Pavarësisht retorikës politike dhe debatit mbi rotacionin qeverisës, mesazhi i BE-së mbetet i qartë: procesi i integrimit është mbi çdo interes partiak dhe kërkon një përkushtim të vazhdueshëm nga të gjitha palët.