Pas gati 5 muajsh zvarritje, në GJKKO nesër mbahet seanca e radhës paraprake për dosjen e aferës ‘Partizani’. Seanca e 4 prillit u shty për nesër në orën 09:30, pas tentativave të të pandehurve për të zvarritur sërish procesin gjyqësor me mungesën e avokatit të Jamarbër Malltezit.
Tashmë që ka përfunduar mbrojtja e të gjithë të pandehurve, në seancën e 11 prillit, që përkon edhe me ditën e nisjes së fushatës elektorale, do të jetë radha për prapësimet e SPAK dhe më pas pritet edhe vendimmarrja. Do të jetë gjyqtarja e seancës paraprake që do të vendosë nëse do të kalojë për gjykim ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerët. Seanca e radhës, më 11 prill, korrespondon edhe me 7 mujorin e marrjes të pandehur të Sali Berishës, në akuzë për korrupsion pasiv, të kryer në bashkëpunim në aferën “Partizani”.
Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare. Berisha dhe Malltezi vijojnë të jenë në masë sigurie, i pari “detyrim paraqitje” dhe i dyti “arrest shtëpie”. Ish kryeministri është i pandehur për korrupsion pasiv dhe akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin duke ua kompleksin Partizani ish-pronarëve, ku përfituesi kryesor është dhëndri i tij, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Në pronat e ish-klubit u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh, duke u siguruar një fitim miliona euro nga ky biznes që nisi me paligjshmëri.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Paralelisht SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit.
Ndërkohë një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij si me rastin marrjes së truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri i tij.