Michelle Obama duket se prej kohësh është në qendër të thashethemeve që s’kanë as kokë e as bisht, por në fund të ditës, e dëmtojnë imazhin e saj. Rishtazi, është përfolur se çifti Obama po shkon drejt divorcit, kjo pasi Michelle mungoi në funeralin e Jimmy Carter, ish-president i SHBA-së dhe më pas, në shpalljen e Donald Trump për të dytën herë si presidenti aktual i SHBA.
Në të dyja këto raste, Barack mori pjesë vetëm. Zërat gëluan dhe u shtuan. Çifti zgjodhi të mos i adresonte, derisa Michelle vendosi t’u jepte fund në podkastin e Sophia Bush, “Work in Progress”. Ajo shpjegoi se po merret me veten dhe po bën zgjedhjet personale, të cilat i shtyjnë njerëzit të mendojnë se ka një problem në martesën e çiftit të famshëm.
“Kjo është ajo me të cilën përballemi ne si gra — frika se mos zhgënjejmë të tjerët,” tha Michelle Obama, duke vijuar: “Deri në atë pikë sa këtë vit njerëzit nuk mund ta konceptonin që po bëja një zgjedhje për veten time. Ata duhej të supozonin që unë dhe bashkëshorti im po divorcohemi. Nuk mund të ishte thjesht opsioni që një grua e rritur që po merrte një sërë vendimesh për veten? Kjo është ajo që shoqëria na shkakton dhe ne nisim të mendojmë: “Çfarë jam unë? Ç’po bëj? Pse po e bëj?” Dhe nëse nuk përputhet (përgjigjja) me steriotipin që njerëzit mendojnë se duhet të ndjekin, atëherë etiketohet si diçka negative apo edhe e tmerrshme”.
Obama, ndonëse nuk e specifikoi, la të nënkuptohet se mungesa e saj në funeralin e Carter apo në eventin e shpalljes së Trump si president, në fakt janë vendime që i ka marrë në të mirë të vetes. Michelle nuk është një figurë politike dhe shpeshherë e ka shprehur se nuk i pëlqen kjo sferë, madje edhe Barack është shprehur para studentëve të kolegjit “Hamilton” se ai ndihet në “një borxh të madh” karshi së shoqes, pasi e ka përfshirë në angazhime intensive në lidhje me politikën.
Në podkastin e Bush, Michelle Obama u shpreh gjithashtu se po përjeton njëfarë çlirimi, pasi më parë përdorte justifikime të ndryshme për të refuzuar ftesa. Tanimë, ajo nuk thotë më: “Duhet të sigurohem që vajzat janë mirë”; “Bashkëshorti im është president dhe unë s’mund ta bëj këtë”, por është e lirë të marrë vendime për veten.
“Tani, e di, nuk mund t’ia atribuoj vendimet apo pavendosmërinë time askujt tjetër përveç vetes,” shpjegoi Michelle. “Mendoj se, nëse do të isha e sinqertë me veten, do të kisha mundur t’i bëja shumë prej këtyre zgjedhjeve vite më parë. Por nuk ia kisha dhënë vetes atë liri.”/k.k