Përdorimi i inteligjencës artificiale ka bërë që konsumi i energjisë elektrike në qendrat e të dhënave të dyfishohet deri në vitin 2030, duke paraqitur një sfidë për sigurinë e energjisë, sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) të publikuar të enjten.
Qendrat e mbledhjes së të dhënave kanë dyfishuar nevojat e tyre me zhvillimin e fundit të inteligjencës artificiale produktive, e cila kërkon aftësi kolosale kompjuterike për të menaxhuar informacionin e mbledhur në këto baza të dhënash gjigante.
Në vitin 2024, nevojat për energji elektrike të këtyre infrastrukturave përfaqësonin vetëm 1.5% të konsumit global (415 teravat orë – TWh), por ato tashmë janë rritur me 12%.
“Kërkesa për energji elektrike në qendrat e të dhënave në të gjithë botën pritet të dyfishohet deri në vitin 2030, duke arritur rreth 945 TWh”, që është pak më shumë energji sesa konsumon aktualisht i gjithë vendi i Japonisë , sipas IEA.
“Deri në vitin 2030, energjia e rinovueshme do të plotësojë rreth gjysmën e rritjes së kërkesës globale për qendrat e të dhënave, e ndjekur nga afër nga gazi natyror dhe qymyri”, ndërsa energjia bërthamore do të mbulojë një pjesë të hendekut pas vitit 2030.
“Mënyra më pak e shtrenjtë për të përmbushur këtë kërkesë në rritje do të jetë përshpejtimi i vendosjes së projekteve të energjisë së rinovueshme, si era dhe dielli, të kombinuara me ruajtjen e baterive,” tha Ewan Graham, një analist në Ember.
Presidenti amerikan Donald Trump premtoi së fundmi të rrisë minierat e qymyrit pikërisht për të përmbushur nevojat e vendit për AI.
Në një situatë të tillë, vlerësohet se qendrat e të dhënave do të rrisin në mënyrë të pashmangshme emetimet e gazit, nga 180 milionë tonë CO2 në 300 milionë ton deri në vitin 2035.
Megjithatë, ky vëllim konsiderohet i papërfillshëm në krahasim me emetimet globale të gazit, të cilat në vitin 2024 vlerësohen të kenë arritur në 41.6 miliardë tonë./k.k