Kina ka njoftuar se planifikon të ulë në mënyrë të moderuar numrin e filmave amerikanë që shfaqen në vend, si një masë kundërpërgjigjeje ndaj rritjes së fundit të tarifave nga Shtetet e Bashkuara. Ky njoftim u bë i ditur nga Televizioni Qendror Kinez.
Një zëdhënës i autoritetit rregullator të filmit në Pekin tha se vendosja e tarifave “të paligjshme” nga SHBA ndaj Kinës do të ndikojë në rënien e popullaritetit të filmave amerikanë mes publikut kinez. Ai shtoi se do të ketë një rritje të shfaqjeve të filmave nga shtete të ndryshme.
Kina ka një sistem kuotash për filmat e huaj, të cilët gjithashtu duhet të përmbushin kërkesat e censurës kineze përpara se të shfaqen në kinema.
Për më tepër, tarifat hakmarrëse të Kinës prej 84% për importet amerikane hynë në fuqi sot, çka ka shtyrë presidentin amerikan, Donald Trump, të rrisë tarifat ndaj importeve kineze në 125%. Trump ka justifikuar këtë masë duke thënë se Kina ka treguar një “mungesë respekti” për tregjet botërore.
Pekini, nga ana tjetër, ka deklaruar se do të luftojë “deri në fund” në këtë mosmarrëveshje tarifore, duke e akuzuar SHBA-në për zhvatje, por nuk ka reaguar me rritje të mëtejshme të tarifave./e.t