Propaganda, si një praktikë legjitime e drejtësisë së re

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mero Baze

Nga debati ballafaques në Gjykatën Kushtetuese mes avokatëve të gazetarit Elton Qyno dhe prokurorëve të SPAK, mbi të drejtën e gazetarit për të ruajtur burimet e informimit, shihen qartë dy probleme.

Problemi i pare, ka të bëjë me nivelin profesional të prokurorit përballë Gjykatës Kushtetuese, pasigurinë e tij për çdo çështje që merr përsipër të mbrojë dhe familjarizimin me shkeljen e ligjit.

Të tre këta elementë tregojnë, në të vërtetë, cilësinë profesionale dëshpëruese që ka SPAK.

Ajo që është vërtet shqetësuese për cilësinë profesionale të prokurorëve të SPAK është fakti se “traditën” e krijuar që gazetarët e kronikës të pyesin SPAK-un nëse duhen botuar apo jo dosjet sekrete, ai e quan “normë etike”. Dhe nëse gazetarët nuk e zbatojnë këtë “etikë”, SPAK ndërhyn dhe u sekuestron pajisjet, siç ndodhi në rastin e gazetarit Qyno.

Pra, ai injoron faktin se nuk ka bazë ligjore për këtë veprim.

Kjo ka ndodhur më parë edhe me redaksinë e Lapsit, kur ka publikuar databazën e Partisë Socialiste për zgjedhjet, dhe për të cilën ka një vendim të Strasburgut kundër SPAK.

Në debatin me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, kur ajo i përmendi vendimin e Strasburgut për ndalimin e praktikës së sekuestrimit të mjeteve të punës së gazetarëve, prokurori e pranoi që ai vendim duhet zbatuar – me po aq lehtësi sa e shkel atë.

Problemi i dytë, është se i gjithë shqetësimi i ngritur ndër vite për rrjedhjen në shtyp të materialeve sekrete nga Prokuroria, tani ka një adresë të qartë: vetë SPAK.

Praktika e krijuar ku SPAK përdor median si mjet për të përbaltur subjektet e tij të hetimit, duke i gjykuar fillimisht në publik e pastaj kopsitur akuzën sipas “mendimit të popullit”, është tashmë një model i verifikuar.

Kjo shpjegon pse rrjedhin në shtyp pjesë të selektuara nga dosjet hetimore, të nxjerra nga konteksti dhe të hedhura si “ushqim për qentë” – me synimin për të penalizuar publikisht personat nën hetim, përpara se të ketë gjykim real.

Lexo edhe :  Kur ngatërrojmë Europën me BE dhe samitet me reformat!

Kjo praktikë e SPAK duket se ka prekur edhe GJKKO-në, e cila tani ka hyrë në “garë” me SPAK, duke rekomanduar formulim akuzash – dhe ndoshta për herë të parë në historinë e drejtësisë në botë – një gjykatë i rekomandon prokurorisë dënime përtej atyre që ka kërkuar ajo.

Shembulli më i qartë për propagandë kundër një të pandehuri, është një paragraf në zbardhjen e vendimit për paraburgimin e Veliajt, ku gjyqtari Pëllumbni shkruan:

“Në këtë kontekst, gjykata vëren se bashkëpunimi i personave nën hetim Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe Elman Abule ka tiparet e një bashkëpunimi të posaçëm – atij të grupit të strukturuar kriminal, …pavarësisht se një formë e tillë bashkëpunimi nuk u është atribuar ende këtyre personave në hetim dhe, për rrjedhojë, nuk do të merret në konsideratë në këtë moment nga gjykata në caktimin e masës së sigurimit, pasi në të kundërt do të cenohej parimi i mosrëndimit të pozitës së të pandehurit (non reformatio in peius).”

Kur vetë gjykatësi thotë që diçka nuk duhet marrë në konsideratë, sepse cenon pozitën e të pandehurit, pse e shkruan atë në vendim?

Pra, gjykatësi e pranon se nuk ka kompetencë të bëjë një vlerësim të tillë, dhe pranon që ai vlerësim cenon të pandehurin – dhe sërish e përfshin në vendim, duke shtuar: “ju mos e merrni në konsideratë, por unë po e them gjithsesi”.

Kjo është esenca e propagandës me drejtësinë – përdorimi i përbaltjes publike si strategji për të mbrojtur vendime të dobëta ligjore ose hetime të mangëta.

Seanca ballafaquese në Gjykatën Kushtetuese tregoi qartë se në drejtësinë e re po krijohen norma antiligjore veprimi, të cilat justifikohen me “mbështetje publike”, sepse opinionit publik i shitet propagandë në vend të provave – ndërsa personat nën hetim linçohen si të dënuar para kohe./    S,M

 

Të fundit

Diell dhe temperatura deri në 24 gradë, njihuni me parashikimin e motit për sot

Orët e paradites do të paraqiten nën ndikimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të lehta përgjatë Ultësirës Perëndimore,...

Horoskopi 13 Prill 2025/ Java mbyllet me ndryshime dhe emocione të forta për këto shenja

Dashi Komunikimi me të tjerët mund t’ju sjellë pikërisht aty ku duhet të jeni. Mundësia ju pret dhe ju do ta gjeni këtë mundësi kur...

Ky çift përfaqëson të gjithë njerëzit në Wikipedia!

Nëse 'një alien' kërkon në google Human në Wikipedia, çfarë përfaqësimi të specieve tona do të gjente? Me fjalë të tjera, nëse do t'ju kërkohet të vendosni...

Ngrohja globale/ Pse India po ngrohet ngadalë?

Kjo mund të jetë vera e tretë radhazi e Indisë me temperatura ekstreme dhe valë të nxehta shkatërruese . Megjithatë, nëse fokusohemi në temperaturat mesatare vjetore, shohim...

Si të hiqni merkurin nga peshqit

Peshku është i mirë për ju , për një listë të gjatë arsyesh që nuk do t'i rendisim këtu. Peshku, megjithatë, është gjithashtu plot me merkur, një...

Lajme të tjera

Web TV