Rama e Berisha, të gjithë për një dhe një për të gjitha

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Lorenc Vangjeli

Bota e vogël shqiptare nuk do të përmbyset të nesërmen e zgjedhjeve. Si të rikonfirmohet pushteti i zgjatur i socialistëve, si të ndodhë rotacioni që ëndërrojnë demokratët, Tirana do të gdhihet po njëlloj. Me tension të shtuar mes tifozëve të të dy krahëve, me ankesat e zakonshme për manipulim të rezultatit, me mospranim të tij nga pala e humbur dhe me qytetarët që edhe njëherë si përherë do të marrin provën e rradhës se politika shqiptare, klasa e saj politike dhe flluska hipokrite ku ajo jeton, nuk është zgjidhja e problemeve të tyre, por është problemi kryesor për t’u zgjidhur.

Në 11 maj shqiptarët do të noterizojnë kryesisht vullnetin e dy kryetarëve të partive kryesore e diçka shumë më modeste në numra, edhe vullnetin e kryetarëve të partive të tjera të vogla. Rreth 90 mandate janë të parafiksuar dhe mbetet të mësohen emrat e pjesës së mbetur të një parlamenti që nuk do të ketë diferencë nga i shkuari që po i mbaron mandati. Vlerë do të ketë vetëm shifra magjike 71, të tjerër do të jenë thjesht numra. Sepse edhe njëherë, si gjithmonë shumë herë, realisht në garë nuk janë listat, por fati i dy njerëzve më të fuqishëm në vend.

I pari, Rama është kryeministër prej tre mandatesh. Ai e di më mirë se kushdo tjetër se rezultati i zgjedhjeve afron vetëm një alternativë me dy skaje për të vetë personalisht: ose do të qëndrojë në zyrë, ose do të jetë kandidat për në qeli. Mbasi ka parë t’i parakalojnë dyerve të drejtësisë një pjesë e madhe e njerëzve me të cilët ai fitoi për herë të parë në 2013-ën, mbasi të tjerë njerëz pranë tij presin t’i shtohen kësaj liste aspak të lavdishme dhe mbasi ka marrë nga askundi dhe ka çuar për në askund shumë njerëz të tjerë që e kanë shoqëruar në qeverisje këto 12 vjet, Rama po luan në këto zgjedhje të gjitha për të gjitha. Dhe si musketieri i vetëm i mbetur në të majtë, ai ka rishkruar moton e famshme të francezit Dyma: Të gjithë për njërin dhe një për gjithçka! Oferta e tij e dukshme është tejet personale, me socialistët e fundit që i kanë mbetur si trashëgimi që janë në rrezik të mbeten në shtëpi dhe me të rinj që dinë që historia e vendit nis vetëm me Edi Ramën, që në këto zgjedhje kërkon garanci për imunitetin e tij personal.

Nëse ai rifiton të drejtën e zyrës në 12 maj, ai do të mbyllë një cikël pushtetesh në Tiranë edhe me personalizimin e shërbimit sinoptik të motit. Edhe hija e rëndë e SPAK-ut që e ka shoqëruar me “bashkëqeverisje” këto dy vjetët e fundit, do të largohet nga nga hija e karriges së tij, kurse për të tjerët, për gjithëkënd nga të vetët e mbetur në lojë, edhe sikur të ndodhë qameti, ai nuk do të ketë pikën e gajles. E natyrisht, as të empatisë dhe keqardhjes për fatet vetjake të miqve apo ish-miqve të tij.

Lexo edhe :  Disa vota që fare kot mund të shkojnë dëm

I dyti, Berisha po e provon për herë të tretë. Mbas ringritjes nga humnera e 97-ës, ai u rikthye falë rënies së socialistëve në 2005-ën dhe u zhyt edhe më thellë tetë vjet më pas për të arritur fundin në 2021-shin kur e përjashtuan nga partia e tij private. Kësaj here si alternativë për të bërë kryeministrin për herë të tretë, ai ka mbas vetes vetëm ndonjë ish-ministër të mbetur, besnikë të tij të rinj dhe ca pak njerëz të tjerë që ai ju dhuroi po me këtë kriter biletën për garën e majit. I mbërritur në një pikë të karrierës, kur siç pohon dhe vetë nuk është më i interesuar “për luks e para”, forca e pabesueshme që e mban ende në këmbë këtë personazh epik buron nga instikti për të mbrojtur veten e familjen nga e nesërmja e paqartë dhe nga dëshira e skajshme për revansh. Për të nuk ka rëndësi kush firmosi që ta mbyllë në ballkonin e shtëpisë së tij dhe e detyron të shkojë dy herë në muaj tek gardhi i SPAK-ut. Sedra e tij e ka paracaktuar Ramën si fajtor dhe ai do të ndjehet i përmbushur vetëm nëse i shkruan edhe atij vetë të njëjtin fat. Berisha e di se i vetmi imunitet personal i tij shkruhet vetëm nga zyra më e rëndësishme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në të kundërt, siç edhe duket se dëshmojnë bathët që janë paranumëruar edhe nga diaspora, Berisha është në lekurën e të mbyturit. Një kovë me ujë të ftohtë në maj për të, nuk ja çon më mishin kokërr. Por për paradoks, edhe ai njëlloj si armiku i tij për vdekje, ka të njëjtën moto: Të gjithë për një dhe një i vetëm për gjithçka! Po në emër të kësaj motoje kur nëse mbetet jashtë asaj zyre ai nuk do të arrijë të bindë dot më as të vetën për “masakrën elektorale në çdo cep të Shqipërisë dhe mbi të gjitha, për deformimin, shitblerjen e votimin familjar” të votës së diasporës.

Pjesa tjetër është histori. Premtimet elektorale do të jenë harruar si nga ata që i kanë lëshuar pa doganë këto ditë, si nga ata pak që i kanë besuar dhe kanë shpresuar se do të mbahen. Të dy bashkë, Rama e Berisha, ndryshe nga sa besojnë, megjithatë do të jenë vetëm një paragraf në historinë e këtij vendi. Një vend që nuk shpjegohet më nga psikologjia, por vetëm nga letërsia. Një vend ku çuditërisht, ata që e kanë drejtuar në këto 12 dekada e gjysëm shtet të pavarur, sa kohë kanë qenë në pushtet kanë qenë të bindur se kanë qenë ofertë hyjnore për Shqipërinë, ndërkohë që Shqipëria nuk ka reshtur së kujtuari e kuptuari se e vetmja gjë e përjetshme në këtë vend është e përkohshmja. Dhe se zyrat e pushtetit me bodyguardë janë vetëm një fije floku larg qelive me gardianë.

Të fundit

MERR FUND MUAJI I MJALTIT?/ 10 ditët e krisjes së madhe mes Tramp dhe Musk

Muaji i mjaltit mes Donald Trump dhe Elon Musk duket se ka marrë fund. Tarifat e reja të vendosura nga...

Jozi goditi Gjestin/Reagon ish-partnerja e tij, Xheneta: Asnjë arsye se justifikon dhunën

Pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme gjatë spektaklit të Big Brother Albania ku Jozefin Marku ka goditur Besart Kelmendin, ka reaguar ish-partnerja e...

Mosvaksinimi solli shpërthimin e fruthit! Kontrolle në çerdhe e kopshte private

Shpërthimi i një vatre infektimi me sëmundjen e fruthit në Fier dhe disa raste të tjera jashtë kësaj bashkie, tregoi në mënyrë të përsëritur...

Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse konsumoni çdo ditë lëng frutash

Shumë njerëz konsumojnë rregullisht lëngje frutash, si pjesë e një regjimi ushqimor të shëndetshëm. Por edhe pse lëngu i frutave siguron vitamina dhe minerale, ka...

Fushata zgjedhore! Rama dhe Berisha sot miting në Itali, pak kilometra larg njëri-tjetrit

Pas hapjes së fushatës elektorale nga Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, Edi Rama dhe Sali Berisha do të jenë këtë të diel në veriut...

Lajme të tjera

Web TV