Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës (9 Prill) në Rrugën e Dibrës në kryeqytet.
Raportohet se 32-vjeçari Franci Canaj gjatë një konflikti për vendparkimin ka plagosur në këmbë 29-vjeçarin Gerald Hoxha.
I plagosuri mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia po punon për kapjen e autorit të dyshuar.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Policia identifikon dhe shpall në kërkim një 32-vjeçar që plagosi me armë zjarri një shtetas, mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se në Rrugën e Dibrës ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. C., 32 vjeç, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin G. H., 29 vjeç, e ka qëlluar këtë të fundit në këmbë, me armë zjarri.
Shtetasi G. H. mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje./E.S