Kontributet e derdhura në fondin e sigurimeve shoqërore vijojnë të jenë të pamjaftueshme për të paguar të gjithë pensionistët në vend. Edhe pse vjet të ardhurat e mbledhura për këtë skemë arritën në 1.9 miliardë euro, ato nuk mjaftuan.
Bazuar në shifrat zyrtare te Institutit të Sigurimeve Shoqërore deficiti i skemës në vitin 2024 zbriti në 0.68% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 0.79% që ishte në vitin 2023. Nëse marrim në konsideratë që prodhimi kombëtar në 2024-ën ishte afro 25 miliardë euro sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, rezulton se fondi që ka shkuar për skemën e pensioneve të jetë rreth 180 milionë euro, praktikisht në vlerë është rritur.
Sipas hulumtimit të dokumenteve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që prej vitit 2014 kur u hartua kjo skemë pensionesh e bazuar në kontribute dhe vitet e punës, buxhet i shtetit ka harxhuar afro 2.5 miliardë euro për të financuar sistemin e pensioneve.
Skema sipas ekspertëve vijon të jetë në deficit, për shkak se numri i pensionistëve rritet më shpejt se ai i kontribuuesve. Vjet u shtuan si kontribuues 16,939 persona, dhe po aq u rrit edhe numri i pensionistëve të rijnë. Kështu, në vend kemi 843 mijë kontribuues dhe 721 mijë përfitues/pensionistë.
Aktualisht për të paguar 100 pensionistë duhet të kontribuojnë 116 të punësuar, ndërsa raporti në 2023 ishin 117 të punësuar për 100 pensionistë. Emigrimi i fuqisë punëtore, punësimi në të zezë dhe nëndeklarimi i pagave janë shkaqet kryesore që skema e pensioneve vijon në deficit.
Pensionet janë kthyer edhe në ‘kalë beteje’, për të gjitha forcat politike që garojnë për zgjedhjet e 11 majit. Socialistët premtojnë pension minimal 200 euro dhe maksimal 400 euro, po kaq premtojnë edhe demokratët me programin e tyre të ‘dhembshurisë’. Edhe partitë e vogla premtimet i kanë në të njëjtat shifra, duke i qëndruar edhe propozimit të kahershëm për përcaktimin e ‘minimumit jetik’.
NUMRI I KONTRIBUUESVE
Viti 2023 826,928 persona
Viti 2024 843,867 persona
Rritja +16,939 persona
NUMRI TOTAL I PENSIONISTËVE
Viti 2023 704,999 pensionistë
Viti 2024 721,398 pensionistë
Rritja +16,399 pensionistë
DEFICITI I SKEMËS SË PENSIONEVE
Viti 2023 0.79% e PBB
Viti 2024 0.68% e PBB
Rënia -0.11% e PBB / S.M