Sot bëhen dy muaj nga arrestimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka bërë një reagim në Facebook, duke thënë se është “pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston”.
Kryebashkiaku thotë se sot mbushen dy muaj që ai është larg familjes së tij, djalit, gruas dhe nënës, ndërsa shpreh një falënderim për të gjithë që i kanë qëndruar pranë.
“Jam ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston. S’ka dalë askush që të kem korruptuar. Ende askush që të më ketë korruptuar. Kush më njeh e di që në çdo ditë të punës time kam ndihmuar këdo, kudo e kurdo me ndershmëri”, shkruan Veliaj.
Reagimi i Erion Veliaj
Të dashur miq,
Sot mbushen 2 muaj nga burgimi im pa gjyq – larg familjes, gruas, djalit të vogël dhe nënës. Por, edhe larg punës në bashki e fushatës, dy pasioneve të jetës sime.
Doja vetëm t’ju falenderoja për mirësinë e mbështetjen ndaj Kait dhe Ajolës, si dhe dy nënave tona – 3 gra pa burrat e tyre, por me kurajo e dinjitet falë jush që u jeni gjendur pranë!
Jam ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston. S’ka dalë askush që të kem korruptuar. Ende askush që të më ketë korruptuar. Kush më njeh e di që në çdo ditë të punës time kam ndihmuar këdo, kudo e kurdo me ndershmëri.
Ndaj, meqë më janë ndaluar opinionet mbi këtë proces grotesk, atyre që i janë gjendur familjes sime, iu them nga zemra “Faleminderit”!
Nuk do t’ua harroj kurrë!
Bekime dhe mall për ju të gjithë.E.V
/E.S