Tuneli futuristik i Norvegjisë, më i thelli në botë, 26.7 km autostradë 390 metra nën det

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Norvegjia po ndërton tunelin më të gjatë dhe më të thellë nën det, në botë, një nga projektet më ambicioze inxhinierike në Evropë, që pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjet dhe infrastrukturën e transportit të vendit nordik.

Duke kaluar nën fjordet e vendit, tuneli Rogaland – ose Rogfast – do të jetë rreth 26.7 km i gjatë dhe do të arrijë deri në 390 metra thellësi nën nivelin e detit.

Pasi të përfundojë në vitin 2033, ky tunel do të shkurtojë kohën e udhëtimit ndërmjet dy qyteteve më të mëdha të Norvegjisë, Stavanger dhe Bergen, me 40 minuta.

Projekti Rogfast, ndërtimi i të cilit është afërsisht në gjysmën e rrugës, është pjesë e autostradës kryesore evropiane E39, që shkon përgjatë bregdetit perëndimor të vendit nordik. Duke lidhur qytete si Kristiansand, Stavanger, Haugesund dhe Bergen, do të zëvendësojë gjithashtu kalimet me traget dhe do ta bëjë udhëtimin më të qetë, sipas autoritetit norvegjez të rrugëve që ka hartuar këtë projekt.

Tuneli futuristik i Norvegjisë, më i thelli në botë, 26.7 km

“Stavanger është qyteti i katërt më i madh në Norvegji, dhe Bergen është i dyti më i madhi, kështu që shpresojmë që ky projekt do të ndihmojë gjithashtu për të shkurtuar kohën e udhëtimit për punëtorët që udhëtojnë çdo ditë mes këtyre dy qyteteve”, tha Oddvar Kaarmo, menaxher i projektit Rogfast në Autoritetin Norvegjez të Rrugëve Publike.

Një rrethrrotullim nën një ishull

Një nga veçoritë kryesore të projektimit të autostradës së re nëndetare është rrethrrotullimi i tij, ku një degë lidh ishullin Kvitsøy, bashkia më e vogël e Norvegjisë, me tunelin kryesor nën shkëmbin e ishullit.

Tuneli Rogfast do të ketë dy korsi në secilën drejtim. Nën Kvitsøy, korsitë do të lidhen përmes dy rrethrrotullimeve që po ndërtohen 260 metra nën nivelin e detit.

“Kemi ndërtuar rrethrrotullime në tunele më parë. Por ky mund të jetë një nga ndërtimet e para ku kemi një seksion të tillë me dy rrethrrotullime në një kryqëzim të tunelit. Për sa di unë, nuk kam parë dy rrethrrotullime në një seksion të vetëm të tunelit më parë”, tha Kaarmo.

Të dy rrethrrotullimet nën ishull do të lejojnë qarkullimin e trafikut edhe kur një nga korsitë është e mbyllur.

Tuneli futuristik i Norvegjisë, më i thelli në botë, 26.7 km

“Nëse ndodh diçka dhe duhet të mbyllim një pjesë të tunelit, ne mund ta mbajmë akoma tunelin në funksion duke përdorur vetëm një tub dhe duke lejuar qarkullim në të dy drejtimet në të”, shtoi ai.

Struktura me dy tuba është gjithashtu një masë sigurie. “Nëse një kamion merr flakë para jush dhe nuk mund të ktheheni mbrapa për të dalë, ju mund të drejtoheni nga këto dyer të gjelbra me shenja daljeje… dhe do të mund të ecni drejt tubit tjetër të tunelit. Dhe ne kemi një sistem kamerash që na tregon saktësisht se ku jeni. Dhe mund të vijmë t’ju marrim dhe t’ju nxjerrim nga tuneli”, tha Kaarmo.

Lexo edhe :  Sa kriza mund të përballojë një brez?/ “Udhëzuesit e mbijetesës” në TikTok

Aftësia norvegjeze për ndërtimin e tuneleve

Projekti Rogfast, që po ndërtohet në faza me një kosto prej 25 miliardë koronash norvegjeze (rreth 2 miliardë euro), aktualisht është gjysmë i përfunduar ndërsa punimet nisën në vitin 2018.

“Në anën veriore, rreth 65% e tunelit është ndërtuar dhe tani është faza e shpimit dhe shpërthimit të tunelit. Në skajin jugor në Randaberg, është rreth 45% i përfunduar”, tha Kaarmo.

Ndryshe nga lidhja fikse Fehmarn Belt mes Gjermanisë dhe Danimarkës që po ndërtohet me metoda modulare, Rogfast po shpërthehet dhe gërmohet direkt përmes shkëmbit të fortë, një metodë që Norvegjia e përdor për të garantuar stabilitet dhe qëndrueshmëri nën presionin e ujit.

“Ju do të udhëtoni përmes shkëmbit të fortë. Kemi këtë distancë mes tavanit të tunelit dhe fundit të detit. Rregulloret tona kërkojnë të paktën 50 metra. Pra, udhëtoni në fund të detit. Kemi shumë tunele nëndetare në Norvegji me këtë ndërtim. Dhe tuneli i ri mes Gjermanisë dhe Danimarkës, ata vendosin seksione betoni dhe i bashkojnë ato, por nuk shkojnë nën fundin e detit siç bëjmë ne në Norvegji. Në Norvegji, ne ndërtojmë tunele më lirë, në krahasim me një urë, për shembull. Dhe kemi rreth 40 tunele rrugore nëndetare në Norvegji, dhe jemi të familjarizuar me ndërtimin. Kështu që normalisht është më e lehtë dhe më e lirë të ndërtosh një tunel rrugor nëndetar sesa një urë për të njëjtin ishull”, tha Kaamor.

Tuneli futuristik i Norvegjisë, më i thelli në botë, 26.7 km

Tuneli nën det, Rogfast, pritet të përfundojë në verën e vitit 2033. “Ajo do të ndihmojë prodhuesit e produkteve të detit të arrijnë më mirë në treg pa pasur nevojë për tragete”, tha Kaarmo.

Do të ndihmojë punëtorët, industrinë, dhe ndoshta edhe turizmin. Sepse bregu perëndimor i Norvegjisë është një pjesë që turistët e kërkojnë shpesh. Për shembull, Bergen. Kemi shumë turistë në Bergen. Dhe me këtë projekt rrugor që do të na lejojë të udhëtojmë më shpejt në Bergen, me shumë mundësi, turistët do ta zbulojnë edhe më shumë këtë pjesë të Norvegjisë”, theksoi ai.

Autoriteti norvegjez i rrugëve parashikon që në tunelin e ri do të ketë 13,000 udhëtime në ditë deri në vitin 2053. /e.t

Të fundit

Media greke artikull për Shqipërinë/ 48 orë në Tiranë, kryeqyteti i Ballkanit në ndryshim

E ndërsa Shqipëria sa vjen dhe zgjerohet në vëmendjen e ndërkombëtarëve, një artikull për kryeqytetin tonë është shkruar nga...

Cila parti shpenzoi më shumë për hapjen e fushatës?

Dy partitë më të mëdha në vend, PD dhe PS kanë çelur zyrtarisht fushatën elektorale me dy takime në zemër të Kryeqytetit shqiptar. Përveçse startin...

Rama: Voto 5, ta bëjmë së bashku Shqipërinë Zonjë të familjes së bashkuar evropiane

Kryeministri Edi Rama ka bërë sërish thirrje për të votuar numrin 5 në fletën e votimit më 11 Maj. Në një foto që ka ndarë...

Mesfushori i Arsenalit shfaqet optimist: “Shkojmë në Bernabeu për fitore”

Arsenali mori fitore të madhe në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve ndaj Real Madridit me shifrat 3-0, por ende nuk është...

Përgjysmohet çmimi i luleshtrydhes në pikun e sezonit

Ka nisur sezoni i pikut të luleshtrydhes, por çmimi i shitjes është përgjysmuar. Fermerët në Karafaj të Fierit pas protestës së bërë disa ditë...

Lajme të tjera

Web TV