Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin lidhur me rastet e dëbimit të qytetarëve kroatë nga Serbia, të cilëve u është refuzuar qëndrimi me arsyetimin se paraqesin “rrezik për sigurinë kombëtare”.
“Jemi të shqetësuar për informacionet që lidhen me raste të dëbimit të qytetarëve të BE-së”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, në një prononcim për gazetarët kroatë në Bruksel.
Ai theksoi se masat që ndërmerren në emër të sigurisë kombëtare duhet të jenë në përputhje me kornizën ligjore të Serbisë, por gjithashtu të respektojnë normat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Këto masa nuk duhet të rezultojnë në kufizimin e lirive individuale, përfshirë ato të shtetasve të huaj”, shtoi Mercier. Ai konfirmoi se BE-ja po e ndjek nga afër situatën dhe se, nëse është e nevojshme, do ta ngrisë këtë çështje në nivelet më të larta me autoritetet serbe.
Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliç Radman, kishte kërkuar më herët një reagim nga Brukseli për rastet e dëbimit të qytetarëve kroatë, duke i cilësuar veprimet e Serbisë si të papajtueshme me marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Njëra nga të dëbuarat, shtetasja kroate Arien Ivkoviç Stojanoviç, deklaroi për mediat se e kupton refuzimin e qëndrimit në Serbi si hakmarrje për pjesëmarrjen e saj të rastësishme në protestat studentore që po zhvillohen prej muajsh në vend.
Sipas të dhënave nga Ambasada e Kroacisë në Beograd, gjatë tre muajve e gjysmë të fundit, 12 qytetarë kroatë kanë marrë urdhra dëbimi nga Serbia./k.k