Formula 1 nuk njeh pushim, teksa Botërori 2025 këtë fundjavë zhvendoset në Bahrain për raundin e katërt. Pas provës aspak të mirë në Suzuka, Ferrari thirret në apel në një tjetër garë kur shpresohet kthesa. Objektivi për skuadrën nga Maranelo nuk është McLaren, por bërja e një hapi përpara dhe arritje e podiumit.
“Fakti që gara e katërt e sezonit zhvillohet në Bahrain na jep mundësinë për të matur progresin që kemi bërë në menaxhimin e SF-25 në krahasim me testet e një muaji e gjysmë më parë në këtë pistë. Ne e dimë se ende na mungon performanca për të qenë në gjendje të luftojmë me McLarenin dhe besojmë se duhet të bëjmë njëfarë progresi, veçanërisht në drejtim të optimizimit të bilancit të makinës”, deklaron drejtori i ekipit, Frederik Vasseur.
Kjo është ajo ku ne do të fokusohemi në Sakhir, gjithashtu me mbështetjen e atyre që punojnë në fabrikë në Maranello ne duhet të kujdesemi për çdo detaj të çdo faze të fundjavës. Jemi të vetëdijshëm se edhe vetëm një e dhjeta përmirësim në kohë mund të nënkuptojë të jemi përpara disa prej rivalëve tanë si të shtunën në kualifikuese gjithashtu edhe të dielën në garë”, shton drejtori francez i Ferrarit.
Këtë fundjavë, përveç Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton, makinën SF-25 do ta drejtojë edhe Dino Beganoviç. 21-vjeçari suedez i akademisë së pilotëve të Ferrarit, do të bëjë debutimin e tij në një sesion zyrtar të Formulës 1. Ai do të marrë vendin e Lëklerk në sesionin e parë të provave të lira. Rregulloret e FIA-s, në fakt, kërkojnë që çdo pilot titullar, duke filluar nga ky vit, dy herë gjatë sezonit duhet t’ia lërë vendin një piloti të ri me më pak se dy gara në kategorinë më të mirë të automobilizmit.
Për sa i përket axhendës në Bahrain, të premten do të zhvillohen dy sesionet e provave të lira, përkatësisht në orën 13:30 dhe në orën 17:00. Më tej, të shtunën në orën 14:30 do të jetë radha për sesionin e tretë të provave të lira, ndërsa në orën 18:00 do të nisin kualifikueset. Çmimi i Madh i Bahrain do të startojë të dielën në orën 17:00./ D.C