Është vetëm çështje ditësh a javësh që qytetarët shqiptarë që kanë derdhur mundin e tyre në shtetin fqinj, Itali, të mund të gëzojnë pension nga ai shtet.
Të interesuar se kur mund të ndodhë një gjë e tillë, Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar një ditë më parë se gjithçka ka përfunduar me botimin e ligjit në Fletoret Zyrtare të të të dyja vendeve dhe se mbeten vetëm çështje administrative sa vendimi të implementohet nga ana e shtetit italian. Në një komunikim në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi, i cili e pyet se sa do të presë për të marrë pensionin në shtetin italian kështu: “Do presësh deri kur shteti italian të kryejë të gjitha proceset që ka për të kryer, por është mbyllur procesi të paktën në aspektin e legjislacionit. Ka kaluar dhe janë miratuar të gjitha. Pra, është Italia, është qeveria italiane që e ka në dorë këtë punë, por ama nga ana jonë gjithçka ka mbaruar. Edhe nga ana e tyre, nga pikëpamja legjislative gjithçka ka mbaruar, pra nuk bëhet më fjalë ‘do bëhet, s’do bëhet’. Tani çështja është tek procedurat e shtetit italian”, – sqaroi Rama.
DETAJET E LIGJIT
Më 5 mars 2025, Senati italian miratoi në seancë plenare me 129 vota pro dhe asnjë kundër, marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë. Nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, të cilëve i sigurohet bashkimi i periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë. Marrëveshja e firmosur me Shqipërinë do t’i kushtojë buxhetit italian 12 milionë euro në vitin parë të zbatimit. Nisur nga praktika që ndiqet, ligji pritet të japë efektet e para në muajin qershor, pra gati dy muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, teksa mësohet se një pjesë e qytetarëve shqiptarë që jetojnë atje kanë nisur, që të dorëzojnë aplikimet e para.
Të dhënat tregojnë se në total deri në vitin 2020 janë 433,789 shtetas shqiptarë, që kanë paguar sigurimet shoqërore në Itali. Ndërkohë, referuar regjistrit të kontributeve janë 30 614 mijë persona (duke marrë në konsideratë këtu kategorinë e atyre që në 2020 janë të grupmoshës 55-64 vjeç dhe që aktualisht janë 60-69 vjeç) që mund të përfitojnë nga ligji pension të parakohshëm, nëse kanë plotësuar mbi 42 vite kontribute bashkuar periudhat në Shqipëri dhe Itali dhe pension pleqërie duke plotësuar kriterin e moshës që është 67 vjeç, si për burrat ashtu edhe për gratë.
PËRFITUESIT E PARË
Dokumenti nënvizon se para nënshkrimit të marrëveshjes me Shqipërinë, numri i qytetarëve që do të trajtohen me pension parashikohej të ishte 4727 persona me një kosto në buxhet 39.6 milionë euro, ndërsa pas firmosjes së marrëveshjes, ky numër pritet të shkojë në 6114 në vitin 2025 me një efekt buxhetor 51.6 milionë euro. Pra, parashikohet që skemës t’i shtohen 1387 persona me një rritje buxhetore 12 milionë për këtë vit. Këtu përfshihen edhe ata persona që trajtohen me ligjin nr. 189 të vitit 2002 (ligji Bossi-Fini) që u jep mundësi emigrantëve shqiptarë të përfitojnë pension, por me kushtin e riatdhesimit, pra kthimin e tyre në Shqipëri. Numri i përfituesve vjen në rritje, në të njëjtën kohë edhe fondi i vënë në dispozicion, ku në vitin 2032 pritet të arrijë në 270 milionë euro, 23.4 milionë euro më tepër.
Nisur nga këto tregues, numri i përfituesve dhe kostoja e tyre si rezultat i marrëveshjes rezulton të jetë më e ulët nga çfarë është komunikuar nga autoritetet në Shqipëri. Dokumenti parashtron disa hipoteza për këtë, siç janë: Fakti që një pjesë e atyre që mbushin moshën e daljes në pension, do të vijojnë që të jenë pjesë e tregut të punës, fakti që marrëveshja nuk ka fuqi prapavepruese, apo edhe që modalitetet e përcaktuara në të nuk i japin mundësinë një pjese që të përfitojnë pagesë. Ajo ç’ka vihet në dukje tjetër në dokument është edhe fakti që gati 20 për qind e personave 67 vjeç, që nuk janë trajtuar deri më tani me pension do të mund të përfitojnë të ardhura deri në 400 euro në muaj.
Marrëveshja për njohjen e periudhave kontributive mes Shqipërisë dhe Italisë u jep mundësinë emigrantëve shqiptarë që të trajtohen me pension në Itali dhe në Shqipëri në të njëjtën kohë. Konkretisht, një qytetar shqiptar që ka në total 27 vite pune, nga të cilat 14 vite në Itali dhe 13 në Shqipëri (kujtojmë që në Shqipëri pragu për pension minimal është 15 vite ndërsa në Itali është 20 vite punë) do të marrë pension në Itali për 14 vite dhe në Shqipëri për 13 vite. Jo vetëm kaq, marrëveshja u jep mundësi emigrantëve që të përfitojnë edhe nga skema të tjera siç janë: pensionet e invaliditetit, pensionet familjare, pagesa e papunësisë, nga sëmundjet si edhe nga barrëlindja./ S,M