Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ndonëse ndodhet pas hekurave, ka bërë një thirrje të fortë për pjesëmarrje në çeljen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, përmes një postimi në Facebook.
“Eja, jam dhe unë në shesh,” shkruan Salianji, duke theksuar se edhe pse fizikisht i mungon për herë të parë një fushate të PD-së, ai është shpirtërisht i pranishëm në Sheshin “Nënë Tereza”, ku sot në mbrëmje fillon zyrtarisht fushata elektorale.
Ai e konsideron dënimin e tij si politik, të inskenuar nga kryeministri Edi Rama, dhe e përshkruan si “një turp për demokracinë shqiptare”, që tashmë po diskutohet edhe në Strasburg e Bruksel.
“Ky është një regjim që sundon përmes frikës, represionit dhe ndëshkimit. Duhet ta largojmë bashkë,” shkruan Salianji, duke bërë apel për ndryshim dhe për një qeverisje që vjen nga qytetarët dhe u shërben atyre.
Në mesazhin e tij emocional, Salianji u drejtohet të rinjve, pensionistëve dhe çdo demokrati që prej 12 vitesh ka luftuar kundër asaj që ai e quan “autokraci e Edi Ramës”, duke i ftuar të mos ndalen deri në ditën e zgjedhjeve.
“30 ditë për të çuar revoltën në votë. Çlirohuni nga frika! Pas 11 majit do të shihni sa dordolec është ai që sot trimon me shtetin në dorë,” përfundon ai./ S,M