Duke folur në një lidhje live, gazetari Ardit Hoxha tregoi detaje në lidhje me hapjen e fushatës nga Partia Demokratike ku tha se ajo do shtrihet në dy ditë, të premten dhe të shtunën. Sipas tij, hapja do të bëhet ditën e premte në orën 19:00 në sheshin Nënë Tereza, ndërsa të shtunën do të jetë prezantimi i programit në Pallatin e Kongreseve. Një detaj tepër interesant që ndau gazetari ishte se drejtuesi amerikan i fushatës së PD, Chris LaCivita, është kthyer në Tiranë dhe nesër do të mbajë një fjalim përshëndetës.
“Së pari duhet theksuar se fushata e PD do të jetë e ndarë në dy ditë të veçanta. Do të kemi hapjen ditën e nesërme, pra të premten në orën 19:00 në sheshin Nënë Tereza. Prezantimi do të jetë i shtrirë në dy ditë, ku të shtunën do të ketë një prezantim të dedikuar të programit në Pallatin e Kongreseve. Ndërkohë, të premten, krahas zotit Berisha dhe disa folësve të tjerë të partive aleate, një moment i rëndësishëm do të jetë kur fjalën përshëndetëse do ta mbajë drejtuesi i fushatës, Chris LaCivita, i cili, sipas informacioneve të mia, ka mbërritur në Shqipëri dhe nesër do të mbajë fjalën e tij në hapjen e fushatës. Nuk është e konfirmuar zyrtarisht, por nga burimet e mia më bëhet me dije se ai do të ketë një fjalë përshëndetëse, që nuk dihet nëse do të jetë para apo pas fjalimit të zotit Berisha,” tha gazetari Ardit Hoxha.
Hoxha tregoi edhe elementë të ndryshëm që PD po përpiqet t’i marrë nga fushatat e Trump.
“PD po përpiqet ta përngjasojë modelin e fushatës së saj me atë të zotit Trump, duke filluar që nga nesër me skenografinë. Skenografia do të jetë e mbushur me numrin 1 – i njëjti numër që PD ka në fletën e votimit – dhe gjithashtu do të ketë ekrane të mëdha LED. Kjo, pak a shumë, na risjell në mendje fushatat e zotit Trump të viteve 2021 dhe 2024, ku ai luante shumë me imazhin. Të njëjtën gjë do të tentojë të bëjë edhe PD ditën e nesërme”, tha Hoxha.
Ndërsa Partia Socialiste do ta hapë fushatën ditën e shtunë nga sheshi Skënderbej, ku fokusi i saj do të jetë tek zonjat dhe gratë./ S,M