Në jetën e përditshme, shpesh nuk është e nevojshme të kesh njohuri të thelluara në psikologji për të kuptuar personalitetin e një personi. Mjafton të jesh vëzhgues i mirë dhe t’i kushtosh vëmendje mënyrës se si dikush sillet në një ambient social, si për shembull në një festë apo mbledhje shoqërore. Sjelljet, gjestet dhe reagimet spontane mund të zbulojnë shumë më tepër sesa fjalët.
Sipas ekspertëve, është e mundur të bësh një vlerësim të parë të personalitetit të dikujt për vetëm disa sekonda, duke u bazuar në gjuhën e trupit, mënyrën e ndërveprimit dhe reagimet në situata të ndryshme. Ja disa nga treguesit më të zakonshëm që mund të ndihmojnë për të kuptuar se me çfarë tipi personi ke të bësh.
Si ecën?
Hapi i parë për të kuptuar dikë është të shohësh mënyrën se si lëviz në një ambient social. Personat që kërkojnë vëmendje zakonisht ecin ngadalë, me vetëbesim të tepruar, përdorin një ton zëri të lartë dhe shpesh bëjnë veprime si pastrimi i fytit përpara se të flasin – sikur duan të paralajmërojnë që do thonë diçka “të rëndësishme”. Ata ndihen mirë kur janë në qendër të vëmendjes.
Nga ana tjetër, personat që preferojnë të mos bien në sy lëvizin në mënyrë më të qetë, rrinë larg qendrës së festës dhe duket sikur shmangin çdo kontakt të panevojshëm. Ata mund të duken të pasigurt apo të tërhequr, shpesh duke dhënë sinjale të ankthit ose mospërfshirjes.
Personat e ekuilibruar ecin me qëndrueshmëri, pa e ekzagjeruar prezencën e tyre. Ata përshëndesin me një shikim të drejtpërdrejtë, mbajnë qëndrim të relaksuar dhe nuk kanë nevojë të duken, sepse ndihen mirë me veten.
Çfarë bëjnë kur askush nuk i sheh?
Një mënyrë tjetër për të kuptuar një person është të shohësh si sillet kur nuk është në qendër të vëmendjes. Ata që dëshirojnë të tërheqin vëmendje shpesh shqetësohen nëse dikush tjetër po merr më shumë vëmendje se ata. Mund të ndryshojnë sjellje papritur, të bëjnë komente sarkastike apo të kërkojnë mënyra për ta kthyer sërish vëmendjen mbi veten.
Në të kundërt, ata që nuk duan të bien në sy shpesh nuk shqetësohen fare kur nuk u kushtohet vëmendje. Zakonisht merren me telefonin, shikojnë përreth në heshtje ose thjesht ndjekin ngjarjet pa ndërhyrë.
Personat e ekuilibruar nuk e bazojnë vetëvlerësimin në faktin nëse janë apo jo në qendër të vëmendjes. Ata i qasen të tjerëve në mënyrë të natyrshme, tregojnë interes të sinqertë për çdo individ dhe nuk kanë nevojë për spektakël për t’u ndjerë mirë.
Si e menaxhon një bisedë?
Komunikimi është një tjetër tregues i rëndësishëm i personalitetit. Personat që kërkojnë vëmendje shpesh dominojnë bisedën – flasin shumë për veten, ndërpresin të tjerët dhe nuk tregojnë shumë interes për mendimet apo ndjenjat e të tjerëve. Për ta, rëndësi ka të dëgjohen dhe të admirohen.
Në krahun tjetër janë ata që heshtin. Nuk marrin pjesë aktivisht, nuk e çojnë përpara bisedën dhe shpesh e presin fundin e saj pa kontribuar me diçka domethënëse.
Personi i ekuilibruar, ndërkohë, është një bashkëbisedues i shkëlqyer. Flet kur është koha, dëgjon me vëmendje dhe krijon një ambient të këndshëm për të tjerët. E di si ta shmangë një konflikt dhe rrallë ndodh që dikush të ndihet i përjashtuar në praninë e tij.
Si i trajton ata që nuk i ofrojnë asgjë?
Një provë e vërtetë e karakterit të dikujt është mënyra si i trajton ata që “nuk kanë ç’t’i japin”. Personat që janë të fiksuar pas statusit apo admirimit shpesh tregohen përçmues apo të pandjeshëm ndaj personave që nuk i konsiderojnë “të vlefshëm”.
Të tërhequrit, nga ana tjetër, zakonisht i shmangin këta persona jo nga përbuzja, por nga mungesa e interesit. Ata qëndrojnë në sipërfaqe të bisedave dhe rrallë hyjnë në biseda të thella.
Ndërsa personat e ekuilibruar tregohen të sjellshëm dhe të interesuar për të gjithë, pavarësisht statusit, përfitimit apo rëndësisë së dukshme. Kjo i bën të dashur në çdo rreth shoqëror.
Gjendja emocionale – një pasqyrë e brendshme
Mënyra si dikush reagon emocionalisht është një tjetër pasqyrë e fortë e personalitetit të tij. Ata që duan vëmendje reagojnë shpesh me nervozizëm ndaj kritikave apo mosmarrëveshjeve. Janë të ndjeshëm, sepse kanë nevojë të ruajnë një imazh të caktuar.
Të tërhequrit, nga ana tjetër, shpesh jetojnë në një gjendje të vazhdueshme ankthi. Ata shmangin konfliktet dhe situatat që kërkojnë përballje, madje edhe kur kanë diçka për të thënë.
Personat e ekuilibruar qëndrojnë të qetë. Ata përballen me situatat me maturi, nuk shpërthejnë lehtë dhe janë në gjendje të mbajnë një komunikim të shëndetshëm, edhe në kushte tensioni.
Në fund të ditës, nuk ka nevojë të jesh psikolog për të kuptuar njerëzit – mjafton të dish të vëzhgosh. Sjellja, qëndrimi dhe mënyra e komunikimit janë pasqyrë e personalitetit të secilit prej nesh. Dhe nëse i kushtojmë vëmendje këtyre sinjaleve, mund të bëjmë një “lexim” të shpejtë dhe të saktë të çdo personi që kemi përballë./e.t